Përplasja e ditëve të fundit mes Ministrisë së Brendshme dhe strukturave të drejtësisë, për lirimin nga burgu të të arrestuarave nga policia për armëmbajtje pa leje dhe vepra të tjera penale, nuk është e para. Gjatë viteve 2014-2015, Saimir Tahiri, në atë kohë ministër i Brendshëm, ka denoncuar dhe ka kërkuar masa ndaj dhjetëra gjyqtarëve, të cilët lironin nga burgu persona të rrezikshëm të arrestuar nga policia dhe që akuzoheshin nga prokuroria për vepra të rënda penale.
Të liruarit nga burgu, përmes vendimeve të dyshimta, akuzoheshin për vrasje, trafiqe, dhunë, mbajtje të armëve dhe municioneve pa leje, kanosje, plagosje, përdhunime, kultivim droge, prostitucion, pastrim parash, vjedhje, vjedhje me dhunë, falsifikim monedhash, aksident me pasoja të rënda etj. KLD-ja nuk ndëshkoi asnjërin prej tyre.
Po çfarë ka ndodhur sot me gjyqtarët e denoncuar 7 vite më parë nga Tahiri, për të cilët në atë kohë nuk u mor asnjë masa nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë? Treshja e Apelit të Tiranës Fatmira Hajdari, Gramoz Levanaj dhe Edmond Gogo, u denoncuan në mars të vitit 2014 për lirimin nga burgu të Gjin Nikës, i arrestuar për disa vepra të rënda penale.
Nika u vra një muaj pas lirimit nga burgu. Fatmira Hajdari u shkarkuar nga Komisioni i Vetingut në qershor të vitit të kaluar, pasi nuk justifikonte një pasuri me vlerë rreth 1 milionë USD dhe se kishte fshehur bllokimin e vizës amerikane nga Ambasada Amerikane. Gramoz Levanaj dha dorëheqjen sapo Komisioni i Vetingut e njohu me dosjes e verifikimit, ndërsa Edmond Gogo doli në pension.
Gjyqtari Arben Vrioni, i denoncuar për lirimin nga qelia të të arrestuarve nga policia, u shkarkua nga Komisioni i Vetingut në nëntor të vitit 2019, pasi nuk justifikonte pasurinë. Dy vjet pasi u denoncua nga Tahiri, Arben Vrioni kryesoi treshen e gjyqtarëve, të cilët liruan para afatit nga burgu ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Ish-gjyqtari i Kavajës Osman Aliu, pjesë e kësaj liste, është përjashtuar me 15 vjet nga drejtësia, pasi dha dorëheqjen për t’i shpëtuar Vetingut. Vendimi është marrë nga Komisioni i Vetingut në 5 mars 2020. Osman Aliu, ishte kallëzuar penalisht për fshehje pasurie, ishte pezulluar nga KLD, por u shpallur i pafajshëm nga gjykatat. Ai u rikthye në detyrë dhe u vetëlarguar brenda ditës nga drejtësia, pasi mori 55 paga.
Ish-gjyqtari i Elbasanit, Sulejman Kurti është shkarkuar nga detyra, ndërsa Ilir Çeliku, më parë gjyqtar i Apelit në Vlorë është përjashtuar për 15 vjet nga drejtësia, pasi dha dorëheqjen për t’u mos u përballur me Vetingun. Ramazan Avdiu, Entela Shedula, Tomorr Kullolli dhe Mariana Shegani, pjesë e listës së gjyqtarëve të denoncuar më parë për lirimin nga qelitë e personave të arrestuar nga policia për vepra të rënda penale, janë shkarkuar gjithashtu nga detyra. Deri më sot, vetëm katër gjyqtarë, pjesë e listës, janë konfirmuar në detyrë, duke kaluar filtrin e Vetingut. Ata janë Ilir Përdeda, Arta Duka,Emona Muçi dhe Dritan Hasani. 16 gjyqtarë të tjerë janë në proces verifikimi nga Komisioni i Vetingut, disa prej tyre që në vitin 2019, ndërsa për 8 magjistratë nuk ka nisur ende procesi i rivlerësimit.
Tre ditë më parë, Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi ka përmendur pesë emra gjyqtarësh dhe prokurorësh, si të përfshirë, sipas tij, në lehtësimin e masave për njerëzit e krimit, konkretisht: Edlira Cufi, Elona Alvora, Albert Spiro, Erind Rahovica dhe Piro Sota. Asnjëri nga pesë magjistratët nuk e ka kaluar procesin e Vetingut. Edlira Cufi, Elona Alvora, Albert Spiro dhe Piro Sota janë në proces verifikimi, ndërsa për Erind Rahovica nuk është përzgjedhur ende me anë të shortit për t’iu nënshtruar Vetingut. Piro Sota është denoncua edhe ish-ministri Saimir Tahiri 7 vite më parë.
Në 31 janar të këtij vitit, Sota liroi nga burgu tre të akuzar për vrasjen e 57-vjeçarit Pelivan Sinanrrapaj: Ferdinand Merkaj, Fitim Zekaj e Festim Alimerkaj, me argumentin se nuk paraqesin ‘rrezikshmëri shoqërore’. Në tetor të vitit 2019, Piro Sota, liroi nga burgu anëtarin e Bandës së Durrësit, Sardian Sulejmanin, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Avni Gashit në tetor 2005 në Tiranë si dhe për dy atentate ndaj kreut të bandës, Lul Berisha, pas përçarjes së bandës. Sota i fali 5 vite burg Sulejmanit, me argumentin se ka babanë vetëm. Gjyqtari Piro Sota ka marrë pjesë edhe në lirimin nga burgu të Fatmir Kajollit, mikut të Fatmir Mediu, i dënuar në Itali dy herë me 40 vite burg si pjesë e një organizate kriminale të narkotikëve.
Gjyqtarët e denoncuar nga Tahiri:
Fatmira Hajdari, i është bllokuar viza amerikane, e shkarkuar nga shkalla e parë për 1 milionë USD pasuri të pajustifikuar.
Gramoz Levanaj, i përjashtuar për 15 vjet nga drejtësia
Edmond Gogo, doli në pension
Arben Vrioni, i shkarkuar nga Vetingu
Osman Aliu, i përjashtuar për 15 vjet nga drejtësia
Sulejman Kurti, i shkarkuar nga Komisioni i Vetingut
Ilir Çeliku, i përjashtuar për 15 vjet nga drejtësia
Ramazan Avdiu, i shkarkuar nga Vetingu
Entela Shedula, e shkarkuar nga Vetingu
Tomorr Kullolli, i shkarkuar nga Vetingu
Mariana Shegani, e shkarkuar nga Vetingu
Halil Vani, doli në pension
Piro Sota, në proces verifikimi
Engjëllushe Tahiri, në proces verifikimi
Llesh Jaku, në proces verifikimi
Seladin Pysqyli, në proces verifikimi
Engert Pëllumbi, në proces verifikimi
Mirela Mishgjoni, në proces verifikimi
Adelina Zarka, në proces verifikimi
Albert Spiro, në proces verifikimi
Bujar Musta, në proces verifikimi
Besnik Shehu, në proces verifikimi
Maksim Qirjazi, në proces verifikimi
Andi Pogaçe, në proces verifikimi
Blerta Çibuku, në proces verifikimi
Andri Ymeri, në proces verifikimi
Mirela Iliopulli, në proces verifikimi
Olkeda Manellari, në proces verifikimi
Dedë Miri, ende i paverifikuar nga Vetingu
Besnik Qira, ende i paverifikuar nga Vetingu
Alvano Murataj, ende i paverifikuar nga Vetingu
Albina Spaho, ende e paverifikuar nga Vetingu
Eugert Selmani, ende i paverifikuar nga Vetingu
Altin Shkurti, ende i paverifikuar nga Vetingu
Tonin Strekaj, ende i paverifikuar nga Vetingu
Miljana Muçaj, ende e paverifikuar nga Vetingu
Ilir Përdeda, konfirmuar në detyrë
Arta Duka, konfirmuar në detyrë
Emona Muçi, konfirmuar në detyrë
Dritan Hasani, konfirmuar në detyrë./shqiptarja.com
/m.j