Agjencia e Sistemeve të Ndërlidhjes dhe Informacionit (ASNI), pjesë e rëndësishme e Forcave të Armatosura të Shqipërisë kremton 90 – Vjetorin e Krijimit të Shërbimit të Ndërlidhjes. Pjesë e ceremonisë së organizuar me këtë rast ishin edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shefi i Përgjithshëm i Shtabit të FA gjeneralmajor Bajram Begaj, zëvendësministrja Dallëndyshe Bici si dhe ish-ushtarakë, ish-punonjës të ASNI.
Në fjalën përshëndetëse, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi vuri në dukje se kjo agjenci është një arterie dhe komponent shumë i rëndësishëm dhe i pa zëvendësueshëm i gjithë përpjekjes që FA bëjnë për të mbajtur me nder edhe me dinjitet pozicionin që u takon si pjesë e NATO. Duke vlerësuar punën dhe arritjet e kësaj strukture në 90 vite të funksionimit të saj, ministri i Mbrojtjes foli për sfidat që e presin në të ardhmen.
“Sot platformat e komunikimit janë rritur shumë, trafiku i komunikimit dhe i ndërlidhjes është shtuar së tepërmi, çka do të thotë se edhe ekspozimi ndaj kërcënimeve është rritur shumë. Mbrojtja kibernetike, natyrisht sot është pjesë e sigurisë kombëtare dhe është kthyer në një fjalë kyçe në të gjitha, diskutimet, komunikimet, platformat, politikat e NATO-s dhe aleatëve tanë. Rajoni ynë dhe bashkë me të edhe Shqipëria natyrisht nuk bën dallim, jemi pjesë e globit, por natyrisht jetojmë edhe në një rajon, i cili ka pranë kërcënime edhe nga fuqi rivale, të cilat veç të tjerash dhe më së shumti përdorin komunikimin e ndërlidhjen, botën kibernetike si një armë për të penetruar dhe për të rritur influencën e tyre”, – theksoi ministri Peleshi.
Z. Peleshi theksoi faktin se tashmë teknologjia, inovacioni, ndërlidhja, komunikimi, teknologjitë e informacionit janë kthyer në një prioritet të Ministrisë së Mbrojtjes. Për t’iu përgjigjur sfidave të kohës, z. Peleshi tha se në bashkëpunim me aleatët amerikanë po ngrihet Njësia e Mbrojtjes Kibernetike. Duke premtuar edhe përmirësim të sistemit të motivimit që nga pagat, shpërblimet apo edhe kualifikimet ai u shpreh: “Ju keni bërë një punë të shkëlqyer ndër vite dhe tani keni strukturë të re, e cila do t’i shërbejë organizimit të punës dhe rritjes së eficensës së performancës suaj, por nga ana tjetër ne do të bëjmë më të mirën edhe për sistemet e tjera të motivimit, nga pagat-shpërblimet edhe deri te hapësirat e kualifikimit, e rikualifikimit, hapësirat e riprodhimit të sa më shumë kapaciteteve njerëzorë, të cilat mund të jenë në dispozicionin tuaj. E kam fjalën kryesisht për Akademinë e Forcave të Armatosura, ku këtë vit të ri akademik ne do të hapin dy – tre programe të reja, dy programe në ‘bachelor’, një prej tyre është Teknologji Informacioni në fushën e Mbrojtjes, tjetra është Komandim Detar në fushën e Mbrojtjes, si dhe një ‘master’ në Siguri Kibernetike”.
Zanafilla e krijimit të kësaj agjencie daton më 30 qershor 1931 me krijimin e dy kompanive të ndërlidhjes dhe një kompani telegrafiste. Pas gjithë këtyre viteve shërbim ndërlidhje, sot ASNI është në gjendje të sigurojë dhe të mbështesë me sisteme komunikimi dhe informacioni për realizimin e komandim-kontrollit të FA në nivel strategjik dhe operacional në të gjitha kohërat si dhe të shkëmbejë informacion me NATO-n, të trajnojë dhe të stërvisë personelin e shërbimit të ndërlidhjes në FA./m.j