Serbët kanë festuar kremten e Vidovdanit që lidhet me përvjetorin e 630-të të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.
Ish-i dërguari i ish-presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, me këtë rast ka uruar serbët për Vidodvanin.
Në një postim në “Twitter”, Grenell shkroi dje se është festë për dëshmorët serbë, pasi në këtë ditë në vitin 1389 filloi beteja kundër Osmanëve në Kosovë.
“Sot nderojmë heronjtë e Vidovdan. Në këtë ditë në 1389, filloi beteja kundër Osmanëve në Kosovë. Sot është një ditë përkujtimore për Shën Princin Lazar dhe dëshmorët e shenjtë serbët”, shkroi Grenell.
Ndërkaq, gjatë kësaj feste pati arrestime të serbëve nga Policia e Kosovës.
Sipas policisë në bazë të të dhënave nga terreni ka regjistruar rreth 2000 pjesëmarrës, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës, me rastin e festës me karakter religjioz të quajtur ‘Vidovdani’.
Gjatë manifestimit zyrtarët policorë kanë vërejtur disa pjesëmarrës të cilët kanë pasur të veshur fanella me mbishkrime provokuese, andaj me qëllim të shmangies së ndonjë keqkuptimi apo incidenti të mundshëm, fanellat e tilla të ekspozuara në automjete dhe të veshura iu janë larguar.
Po ashtu zyrtarët policorë të cilët kanë qenë të caktuar në lokacione të ndryshme, përfshirë pikat e kontrollit, gjatë kontrollit dhe verifikimit të tyre kanë gjetur dhe sekuestruar disa mjete të ndryshme të mprehta thika dhe një boks hekuri.
Lidhur me këtë, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetentë ka hapur rastet për ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Prishje e rendit dhe qetësisë publike’.
Manifestimi ka përfunduar pa incidente madhore dhe pjesëmarrësit janë shpërndarë në formën siç edhe kishin ardhur.
g.kosovari