Një grua është ndjerë e kërcënuar për jetën e saj dhe të fëmijëve, kur në derën e shtëpisë ka gjetur një letër, përmes së cilës i kërkohej të paguante një shumë prej 5 milionë lekësh, në të kundërt do të kishte probleme. Letërshkruesi ishte anonim. Lajmi raportohet mëngjesin e sotëm nga ‘Panorama’:
Gjithsesi gruaja, e cila jetonte vetëm me fëmijët e mitur, pasi i shoqi i ishte arrestuar për “prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, vendos të mos qëndrojë “duarkryq”, por të kërkojë ndihmë. Të parën që telefonoi ishte kunata e saj, të cilës i rrëfeu hallin. Pa e ditur se letërshkruesi ishte pikërisht nipi i bashkëshortit. I dyshuari Ardi Boshnjaku, me të mësuar nga babai i tij, se nusja e dajës kishte bërë kallëzim në polici, vendos të tregojë se ishte ai “letërshkruesi” dhe se e gjitha ishte thjesht një shaka e bërë prej tij. Prokuroria për Krime të Rënda e cila hetoi për gati dhjetë muaj doli vendosi që ndaj Boshnjakut, të ngrinte akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”. “Nga veprimet hetimore, rezulton se kjo letër kërcënuese nuk ishte “një shaka”, për faktin se ai ka kryer të gjithë veprimet e nevojshme dhe ka qenë në pritje të posedimit të parave nga e afërmja e tij, pasi në letër i kishte dhënë edhe orientimet e nevojshme se ku do të dorëzohej shuma e parave”, thuhet në dosje.
Letra kërcënuese
Mbrëmjen e 19 marsit 2015, E.D, e cila përkohësisht jetonte vetëm me fëmijët, pasi bashkëshorti i saj ishte arrestuar për “prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”, gjen në derën e shtëpisë së saj një letër. Në përmbajtje të kësaj letre, një person pa emër, i kërkonte të dorëzonte të nesërmen në markatën e qytetit të Elbasanit shumën prej 5 milionë lekë, pasi në të kundërt do të kishte pasoja.
Gjithashtu, “letërshkruesi” i kërkon E.D. që të mos njoftojë policinë. E shqetësuar, gruaja e cila është ndjerë mjaft e kërcënuar, komunikon me kunatën e saj, e martuar me shtetasin F. Boshnjaku. Ky i fundit i sugjeron që të shkojnë të bëjnë kallëzim në polici. Afër mesnatës konkretisht rreth orës 23:00, gruaja bën kallëzimin. Gjatë kryerjes së procedurave, shoqërohej nga burri i kunatës sa saj.
Pas kryerjes së procedurave në polici, F. Boshnjaku kthehet në shtëpinë e tij, ku e presin bashkëshortja e tij dhe i biri, Ardi Boshnjaku, të cilët ishin në dijeni të letrës kërcënuese ndaj E.D. që prej disa orësh, të informuar nga vetë e kërcënuara. F. Boshnjaku u tregon gruas dhe të birit, se E.D kishte bërë kallëzim.
Rrëfimi i autorit
Ardi Boshnjaku sapo ka mësuar nga babai i tij se E.D, kishte bërë denoncim në polici, ka reaguar menjëherë, dhe ka thënë se përse është bërë kallëzim, pasi letrën e kishte shkruar ai për shaka. “Të gjendur në këto kushte, F. Boshnjaku dhe bashkëshortja e tij shkojnë sërish në shtëpinë e të kërcënuarës E.D. për të sqaruar situatën, ndërsa djali i tyre largohet në drejtim të Tiranës, duke u strehuar tek halla e tij”, theksohet në dosjen e prokurorisë. Ndërkohë, policia pas marrjes së denoncimit, ka nisur hetimet dhe ndër të tjera ka sekuestruar disa kamera sigurie në pallatin ku jetonte E.D., në të cilën dalloheshin qartë tiparet e personit që dyshohej se kishte lënë letrën kërcënuese. Policia mundi të identifikojë Ardi Boshnjakun, si të dyshuar për krimin, por kur vajti ta kërkonte në shtëpinë e tij, nuk e gjeti. “Me ndërhyrjen e familjarëve dhe hallës së tij në Tiranë, shtetasi Ardi Boshnjaku u vetëdorëzua në polici, ku deklaroi se letrën e kishte bërë për shaka”, shpjegon organi i akuzës.