Portugalia, Spanja dhe Gjermania kanë vendosur kufizime të reja për udhëtimet në një përpjekje për të kufizuar përhapjen e variantit Delta, i cili u zbulua për herë të parë në Indi.
Nga e hëna, britanikët e pavaksinuar që udhëtojnë në Portugali do të karantinohen për dy javë. Sipas rregullave të reja, gjithashtu kushdo që udhëton në Portugali duhet të jetë i vaksinuar ose të izolohet.
Masa vjen pasi Kancelarja gjermane Angela Merkel kritikoi Portugalinë javën e kaluar për hapjen e kufijve për britanikët midis mesit të majit dhe fillimit të qershorit, ndërsa varianti Delta po qarkullonte në Mbretërinë e Bashkuar.
Portugalia u bë vendi i parë i Bashkimit Europian që njoftoi se varianti Delta ishte tashmë dominues në vend. Spanja gjithashtu ka vendosur kufizime të reja për udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar. Duke filluar nga e ënjta, njerëzit që vijnë nga Britania duhet të jenë të vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 ose të kenë një test negativ PCR.
Gjermania kufizon hyrjen e udhëtarëve nga Portugalia dhe Rusia
Gjermania njoftoi se do të kufizonte hyrjen e udhëtarëve nga Portugalia dhe Rusia, pasi Instituti Robert Koch i klasifikoi të dy vendet si “zona të rrezikshme”. Vetëm shtetasit gjermanë do të lejohen të hyjnë përsëri në vend me kusht që të karantinohen 14 ditë, madje edhe për ata që janë plotësisht të vaksinuar.
Masa do të hyjë në fuqi të martën. Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn tha të shtunën se Gjermania duhet të përshpejtojë fushatën e vaksinimit ndërsa varianti Delta po përhapet në të gjithë Europën.
Pjesa tjetër e Europës
Javën e kaluar Franca shtoi Rusinë në “listën e saj të kuqe” për shkak të shqetësimeve në lidhje me rritjen e rasteve të koronavirusit. Javën e kaluar, agjencia e BE-së për kontrollin e sëmundjeve paralajmëroi se varianti Delta mund të përbëjë 90% të rasteve të reja në Europë deri në fund të gushtit.
Varianti tani është përhapur në të paktën 85 vende të botës dhe besohet se është 40-60% më ngjitës se varianti Alpha, i identifikuar për herë të parë në Britani. Pavarësisht shqetësimeve për variantin Delta, të dhënat epidemiologjike kanë treguar përmirësime në pjesën më të madhe të Europës javët e fundit.
Disa vende kanë hequr kufizimet. Spanja të shtunën hoqi masën për të mbajtur maskën në ambientet e jashtme. Po ashtu duke filluar që sot, italianët nuk do të mbajnë më maska në ambientet e jashtme.
/b.h