Fundi i muajit qershor na ka përballur me temperatura të larta për shkak se vendi ynë është përfshirë nga masa ajrore të ardhura nga veriu i Afrikës.
Meteorologu Hakil Osmani, në një lidhje me Skype për ‘Report Tv’ foli me detaje për dy muajt e tjerë të verës duke thënë se i nxehti do të vazhdojë përsëri.
Sipas meteorologut, fillimi i muajit korrik do të jetë më i freskët deri në fundjavë, duke pësuar më pas përsëri një rritje temperaturash deri në 36-37 gradë.
Ndër të tjera, meteorologu tha se vera në përgjithësi do të jetë e thatë, por do ketë vetëm disa reshje që kryesisht do të prekin zonat veriperëndimore.
“Fillimi i muajit korrik do të sjellë një freskim, ulje të temperaturave të ajrit që deri në fundjavë do të shkojnë deri në 35 gradë, shumë afër vlerave normale të muajit korrik. Pritet që në 15 ditëshin e parë temperaturat të rriten sërish duke shkuar edhe deri në 36-37 gradë. Vera pritet të jetë e thatë, priten shumë pak reshjet, që do jenë kryesisht në formën e rebesheve, që do prekin më së shumti zonën veriperëndimore”, u shpreh meterologu për Report TV.
/b.h