Në qytetin e Gramshit vijon puna për rikonstruksionin e infrastrukturës në lagjen “Llapushaj”.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i shoqëruar nga deputeti i zgjedhur Besian Ajazi inspektoi punimet, të cilat po kryhen me ritme të shpejta për transformimin e kësaj lagjeje.
Në fjalën e tij Balla tha se potenciali i zhvillimit të Gramshit mbeten fshatrat e mrekullueshëm, të cilët duan ende punë për t’u bërë lehtësisht të aksesueshëm dhe se e ardhmja e kësaj zone është agroturizmi.
“Inspektuam disa nga kantieret e ndërtimit në infrastrukturën e qytetit. Kjo lagje prej shumë vitesh kërkonte një ndërhyrje totale në ndërtim rrugësh, trotuare me ndriçim, mure mbrojtëse për të garantuar aksesin e plotë të të gjithë banorëve me të njëjtën infrastrukturë si gjithë pjesa tjetër e qytetit. Jam krenar për gjithë punët e mëdha që po vijojmë të bëjmë në Gramsh. Asnjëherë nuk jemi të kënaqur me ato çfarë kemi arritur, sepse punë të tjera që na presin janë gjithmonë e më të rëndësishme”, – theksoi Balla.
Balla u shpreh se “Gramshi sot është një qytet i ndryshuar. Është e nevojshme gjithashtu për të vijuar investimet edhe në destinacionet e tjera të zhvillimit të agroturizmit për gjithë këtë zonë. Ftoj të gjithë djemtë dhe vajzat e Gramshit që janë emigrantë nëpër botë të fillojnë të mendojnë për tu rikthyer dhe për të investuar në agroturizëm, që është dhe e ardhmja e kësaj zone”.
/b.h