Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka komentuar incidentin që ka pasur dje me liderin e Partisë Popullore, Vuk Jeremiç dhe ekipin e tij në ambientet e presidencës.
Vuçiç tha se Jeremiç dhe ekipi i tij nuk janë konfrontuar fizikisht por vetëm kanë bërtitur dhe fyer.
“Ata e kanë akuzuar kryeministren, dhe unë reagova dhe ju thashë ejani tek unë. Të pesë personat më fyen dhe bërtitën, unë isha vetëm. S’mund të kesh energji sa pesë persona. Nuk më kanë rrezikuar fizikisht, çfarë bënë ishte një performancë politike. Nëse vijnë prapë, unë sërish do të ju dal përballë, atyre u konvenon që të bëjnë paraqitje të tilla kurse unë i humba 10 minuta të kohës së vlefshme”, tha Vuçiç.
Jeremic bashkë me Vladimir Gajic, Miroslav Aleksic dhe Borislav Novakovic janë shfaqur dje përpara presidencës së Serbisë, pas ftesës që Vucic i kishte bërë atyre duke iu thënë të vijnë dhe të përballen me mua.
Përfaqësuesit e partisë së Jeremicit kanë deklaruar për media se tek ndërtesa e presidencës kishin shkuar për të pyetur Vucicin nëse është normale që ai të ftojë qytetarët e Serbisë për të luftuar me ta.
“Ne të gjithë erdhëm dhe ai tha se do ta luftonte. Borivojë Borovic aktualisht është jashtë vendit. Të katërt erdhëm për t’i thënë presidentit të mos ketë frikë. Ai na ftoi dhe ne erdhëm të kërkojmë që ai të na pres, për të parë se çfarë kishte për të thënë”, ka deklaruar Jeremic, para se të hynte në presidencë.
Pas disa minutash në ndërtesën e Presidencës, përfaqësuesit e Partisë Popullore iu drejtuan përsëri medias. Jeremic tha se Vuçiç zbriti poshtë dhe ishte dukshëm i zemëruar.
“Presidenti zbriti dhe po dridhej i tëri. Ishte e pakëndshme për sigurimin. Filloi të bërtiste, duke thënë “hajdeni më rrihni”. Por në ato momente ai ishte i siguruar nga truprojat e tij. E ftova të dilte jashtë por s’guxoi.. Ai na mallkoi, ofendoi dhe na kërcënoi. Më tha se jam një hajdut”, ka treguar Jeremic./m.j