Studimet e plota, versioni i shkurtuar dhe ai në gjuhën angleze shpërndahen për studiuesit, familjarët, përfaqësuesit e institucioneve publike, organizatave të të drejtave të njeriut, trupit diplomatik dhe të rinjtë e interesuar.
Prej më shumë se një viti, AIDSSH dhe FES u bënë bashkë në një projekt serioz dhe sfidues, për të ndriçuar këtë aspekt të historisë sonë të afërt. Dhjetë intelektualë të mirënjohur, filozofë, gazetarë, mendimtarë e përkthyes, shkrimtarë e njohës shumë të mirë të dinamikave në vend e jashtë tij, u trajtuan me profesionalizëm dhe në dritën e dokumenteve historike.
4475 faqe dokumente u deklasifikuan nga AIDSSH dhe u vunë në dispozicion të gjashtë studiuesve që iu qasën në mënyrë shumëdisiplinare profileve të përzgjedhura, duke riskicuar në të njëjtën kohë tablonë e mendimit politik të së majtës në Shqipëri, në kuadër të mendimit politik botëror të së majtës përgjatë shekullit XX.
Sejfulla Malëshova, Konstandin Çekrezi, Tajar Zavalani, Musine Kokalari, Isuf Luzaj, Skënder Luarasi, Petro Marko, Xhavit Qesja, Isuf Keçi, Zef Mala e të tjerë janë personalitete që u frymëzuan nga aspiratat për drejtësi shoqërore dhe punuan për ta ngritur e formësuar të majtën në vend, si e majtë europiane.
AIDSSH po punon për studime të ngjashme të së djathtës shqiptare të përndjekur, në bashkëpunim me historianë, familjarë e studiues, mbi bazën e dokumenteve arkivore. Dhjetëra dosje janë deklasifikuar dhe një pjesë e mirë janë vënë në dispozicion, mes të cilëve, ato të Ballit Kombëtar, Legalitetit, Grupi të deputetëve opozitarë, Partisë Bashkimi Demokrat, Komitetit Shqipëria e lirë, Bllokut Indipendent dhe Ali Këlcyrës, Kadri Cakranit, Selman Rizës e shumë të tjerëve, që pritet të ridimensionohen në dritën e studimeve shumëdisiplinare.
Lufta e Dytë Botërore formësoi rrymat kryesore, e majta komuniste, me shumicë individësh liberalë dhe socialdemokratë, dhe e djathta konservatore republikane, e mishëruar me Ballin Kombëtar, i cili gjithashtu kishte mjaft rryma brenda tij me filozofi të ndryshme politike, por gjithnjë kombëtariste dhe antikomuniste.
Gjatë luftës u kristalizuan edhe dy formacione të rëndësishme politike si monarkistët, por edhe
nacionalistët kombëtaristë, që vendosën të merrnin rol aktiv në ekzekutiv. Të gjitha këto rryma të
ndryshme politike bashkoheshin në qëndrimin kundër komunizmit, por ndaheshin në shumë aspekte të tjera, që kishin të bënin më shumë me ndasitë e vjetra politike që nisnin nga themelimi i shtetit shqiptar.
Gjatë luftës pati edhe lëvizje të pavarura lokale antikomuniste, si Lëvizja Kryeziu, ajo e Muharrem Bajraktarit apo e Markagjonit.
Botimet mbi të majtën dhe të djathtën janë ftesë për reflektim dhe mundësi që shoqëria e të rinjtë të njihen me individë me identitet politik të qartë, të përcaktuar dhe të dallueshëm, pjesë e trashëgimisë historike të Shqipërisë./m.j