Vdekja e 20-vjeçares britanike në Greqi u zbardh dhe bashkëshorti i saj është pas hekurave, por ende jo të gjitha pyetjet e ekspertëve kanë një përgjigje definitive për të mbyllur dosjen.
Pse Caroline nuk rezistoi, duke luftuar për të marrë frymë? Pse nuk ka gjurmë të mbytjes? Ekspertët japin përgjigjet duke përshkruar minutat dramatike deri sa zemra e 20-vjeçares pushoi së rrahuri.
“Ta Nea” shkruan se në 04:05 të mëngjesit të datës 11 maj, Caroline ishte duke fjetur në shtratin e saj dhe vetëm disa minuta më vonë, në 04:11 të mëngjesit, zemra e saj pushoi së rrahuri.
Pyetja kryesore është një: Pse Caroline nuk rezistoi aq shumë sa vrasësi pretendon se viktimës i kishte bllokuar rrugët e frymëmarrjes. “Ajo po dridhej. Goja dhe hunda e saj ishin mbështetur në jastëk” pretendoi fillimisht piloti.
Ndërsa më pas në dëshminë e dytë piloti tha se “Goja, hunda dhe sytë e saj ishin në jastëk. Me peshën e trupit po i shtypja kokën”.
Në të dy rastet, ekspertët thonë se viktima do të përpiqej të merrte frymë. “Me forcë, ju privoni personin nga hyrja e ajrit në rrugët e frymëmarrjes. Kjo kërkon një veprim të zgjatur dhune, i cili nuk mund të konsiderohet si i menjëhershëm, ose që kjo dhunë të mos perceptohet nga autori”, pohon ekzaminuesi mjekësor Socrates Tsantiris.
Shpjegimi i vetëm logjik që viktima të mos reagojë është të mos jetë e vetëdijshme. Ekspertët i japin përgjigje edhe pyetjes se përse nuk ka shenja të mbytjes? “Mbytja mund të ndodhë pa ndonjë shenjë të dhunës së fortë në trup”.
Nëse autori i krimit, siç thonë ekspertët, “ka përdorur një leckë dhe jo duart për të shkaktuar humbjen e vetëdijes, ai nuk lë shenja fare”. “Mënyra se si ajo ndërroi jetë, nëse sqarohet plotësisht, mund të tregojë shumë për vrasësin” mbyllet shkrimi i medias greke.(ABC)
/m.j