Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj prezantoi në Kuvend projektligjin për regjistrimin e organizatave jo fitimprurëse në Shqipëri. Gjonaj deklaroi se do të shmangen burokracitë veçanërisht për ata që jetojnë jashtë Tirane dhe detyroheshin të vinin në kryeqytet.
Pikë kyçe e këtij projektligji është rritja e transparencës së këtij sektori që sipas ministres heq rrezikun që mund të ketë në të ardhmen për pastrimin e parave. Ajo shpjegoi se kjo do të bëhet duke vendosur detyrime për regjistrimin e të dhënave, që është edhe kusht i Moneyval për Shqipërinë.
“Me ndihmën e BE në korrik të vitit 2019, këshilli i ministrave miratoi udhërfyesin për një mjedis për shoqërinë civile për krijimin e një kuadri ligjor. Një nga masat kryesore që kishim parashikuar u realizua. Besoj se kemi bërë më të mirën dhe sot ndihem mirë që do prezantoj një projektligj që lehtëson procedurat për shoqërinë civile.
Jemi përpjekur dhe ia kemi dalë të jemi gjithëpërfshirës në hartimin e këtij draft. Mbi 70% e komenteve dhe sugjerimeve janë reflektuar në përmbajtjen e tij dhe kjo ka sjellë një rritje të ndjeshme të përmbajtjes së këtij projektligji. Kushdo që ka punuar edhe një ditë në këtë fushë e di vështirësinë që ka regjistrimi i një organizate.
Ne rrisim transparencën e këtij sektori dhe heqim një rrezik që mund të ketë në të ardhmen për pastrimin e parave. Vendosen detyrime për regjistrim të të dhënave që janë të nevojshme për transparencën e këtij sektori. Çdo vendim duhet tët merrej nga Gjykata e Tiranës në lidhje me kryerjen e veprimeve në regjistrin e organizatave jo fitimprurëse. Tashmë do I kalojnë kancelarit të Tiranës.
Të nderuar deputetë miratimi i këtij projektligj do sjellë ndryshim rrënjësor sa i takon transparencës dhe lehtësimit të procedurave. Për gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë përmbushen edhe një nga rekomandimet e Moneyval për transparencë”, deklaroi ministrja.
/b.h