“Si s’tu prish kjo biçikleta”?! Fjalia e shkëputur nga një këngë e kantautorit Françesk Radi, sot më shumë se asnjëherë është rikthyer sërish në lajtmotivin e batutave mes të rinjve në Tiranë, por edhe moshave më të mëdha, me vajzat që gjithnjë e më shumë kanë pushtuar rrugët e Tiranës me biçikleta.
Por ajo që duket se i jep vlerën e plotë këngës “Biçikleta”, është rruga e Liceut Artistik të Tiranës, e cila është njëra nga rrugët që Bashkia ua ka dedikuar përdoruesve të biçikletave në kryeqytet, duke qenë një tjetër xhevahir në kurorën e korsive të biçikletave që ajo po ndërton për qytetarët.
Rruga e Liceut tashmë është pjesë përbërëse e mjaft rrugëve në Tiranë dedikuar qytetarëve për biçikleta si rruga: “Dritan Hoxha”, “Gjergj Filipi” “Pallati i Kongreseve”, Rruga e “Kosovarëve”, bulevardi “Zogu i Parë”, “Dëshmorët e Kombit”, aksi nga qendra deri tek rruga e “Dibrës” dhe deri në Kinostudio, Unaza etj. Edhe tashmë që Tirana u hap, në kryeqytet ka një fluks të madh kërkesash të qytetarëve për biçikleta, si dhe një shumëfishim të lëvizjeve së qytetarëve nëpër rrugë me biçikleta duke krijuar edhe një kulturë të re.
Në këto rrethana të reja të krijuara ku qyteti është hapur, Bashkia ka planifikuar shtimin edhe të rrugëve dedikuar biçikletave, duke rritur si shkallën e sigurisë për përdoruesit, nëpërmjet edhe sinjalistikës, por edhe për të lehtësuar lëvizjen e tyre. Tashmë rruga te Liceu Artistik (“Ismail Qemali”) ka përfunduar, duke sjellë në vëmendje jo vetëm sigurinë, funksionalitetin e kësaj rruge dedikuar biçikletave dhe përdoruesve të tyre, por edhe aspektin estetik. Siç dihet rruga e Liceut Artistik në Tiranë është një ndër rrugët më të bukura në kryeqytet rrethuar nga kurorat e pemëve.
Rrugë që sjell në mend edhe këngën e shkëlqyer të Çesk Radit, “Biçikleta”. Por ajo është edhe një ndër rrugët me intensitet të lartë lëvizje, pasi një sërë institucionesh qeveritare, mediatike dhe arsimore gjenden të ndërtuara në të dy anët e saj. Lehtësimi i kësaj rruge nga parkimi dhe makinave që lëvizin, jo vetëm i shërben uljes së ndotjes akustike, por edhe uljes së nivelit të ndotjes në këtë zonë, si për qytetarët që banojnë aty, por edhe për Tiranën në përgjithësi. Rruga e Liceut Artistik është finalizimi i një segmenti të ri dedikuar biçikletave, ndërkohë ajo është edhe sinjali i një starti të ri për më shumë rrugë të reja në kryeqytet dedikuar përdoruesve të biçikletave.
/b.h