Një tavolinë pokeri e vendosur në mes të lokalit “P.B” në Kombinat, është bërë shkak që pronarja e tij, K.K., të përfundojë në polici për organizim të lojërave të paligjshme.
Gruaja është një 35-vjecare nga Tirana, e cila u arrestua në flagrancë nga shërbimet e policisë lokale tha një burim.
Së bashku me të renë, u prangos edhe një person tjetër, shtetasi S.R., i moshës 33 vjeç, gjithashtu nën akuzë për të njëjtën vepër penale.
Por, gjatë marrjes në pyetje, bëhet me dije se “gruaja e pokerit” ka kundërshtuar dhe hedhur poshtë dyshimet e agjentëve me arsyetimin se pandemia i kishte vështirësuar biznesin dhe stopuar klientelën.
Por që sidoqoftë, ky version nuk e lehtësoi pozitën e saj para oficerëve. Gjithë qëndrimi i 35-vjeçares, është se ajo e mori me qira ambientin në rrugën “Loni Ligori” dhe më pas e përshtati për lokal dhe për lojëra të ndryshme.
“Kam tentuar disa herë që këtë biznes ta regjistroj pranë QKB, por për shkak të Covidit, ky institucion ishte i mbyllur. Kisha dijeni që në ambientin që mora me qira ishte një tavolinë pokeri, por nuk e dija që mbajtja e saj ishte e jashtëligjshme”, – citojnë të ketë thënë “gruaja e pokerit”.
Megjithatë policia këmbëngul se në lokal, menjëherë sapo mbërriti, gjeti rreth kësaj tavoline klientë që po luanin. Ky version sipas burimeve policore të Gazetasi.al, kundërshtohet nga e arrestuara.
“Personat që u gjetën në tavolinë, nuk kam dijeni se çfarë po bënin. Isha duke folur në telefon me një mikun tim që po më pyeste për policinë dhe nuk isha aspak aty. Sapo miku më njoftoi që kishte parë policinë, mora kontratën e qirasë dhe u paraqita vetë në komisariat”, – këmbëngul gruaja.
Praninë e disa burrave, duke luajtur poker, gruaja e konsideron si shpërdorim të besimit nga të njohurit dhe klientët që frekuentojnë lokalin e saj.
Megjithatë policia e Kombinatit, shpjegon se përveç pronares së barit, i ka vendosur prangat dhe një shtetasi tjetër. Por shtetasi S.R., ka folur shkurt, thanë burimet, duke deklaruar: “Do flas në një moment tjetër”.
Mes klientëve të pyetur nga agjentët e komisariatit numër 6, është edhe dëshmia e A.B., që policia e pyet se përse gjendej në lokal?
A.B., dëshmon: “Shkova për të parë ndeshjen në lokalin bar kafe, ku ka edhe bilardo dhe pasi përfundoi ndeshja, filluam të luajmë letra me çunat, por nuk kisha në asnjë moment vlera monetare në xhep, derisa aty mbërriti policia dhe na dërgoi në komisariat”.
Policia deklaron për Gazetasi.al, se ka sekuestruar telefonat dhe i ka dërguar në laboratorin e kriminalistikës, nën dyshimet se klientët, përveç pokerit, kanë vendosur përmes telefonit baste ‘live’, duke porositur me telefon dhe duke parashikuar rezultatin e ndeshjeve.
Nga ana tjetër, edhe kamerieri i lokalit ka dalë në mbrojtje të pronares, duke pranuar se ajo e merrte turnin pas orës 20:00.
Por sipas tij, kishte parë disa persona duke luajtur, veçse ata luanin për qejf dhe jo për para.
A kanë shpërthyer lojërat online?
Arditi, është një 38-vjecar që falënderon shpesh gjatë intervistës operacionin “Fundi i marrëzisë”, një aksion masiv në shkallë të gjerë kombëtare i nisur në vitin 2013 menjëherë sapo ministër Rendi u bë Saimir Tahiri.
Fokusi i operacionit që përfshiu dhe tatimet, qe mbyllja e çdo njësie të lojërave të fatit.
“Realisht atëherë kisha detyrime, paguaja qira, paguaja taksat e tatimet, pra nxirrja lekë nga njëri xhep dhe i fusja nga tjetri, – e nis rrëfimin Arditi. – Tani nuk nxjerr lekë nga asnjë xhep. Vetëm i fus në xhep. Është e organizuar në mënyrë perfekte, porositë bëhen online, mund t’i gjesh, kërko me baste online. Mjafton të hapësh një llogari online”, – tregon i riu, i cili tashmë nuk paguan as tatime, as taksa.
“Më kanë bërë nder, nuk e di për të tjerët, por forma më amatore është të luash në lokal dhe ata kapen me presh në duar, por të siguroj që veç në letër është e jashtëligjshme, pasi edhe lojtarët, dhe një admin si unë, tani janë më të mbrojtur se kurrë”, – tregon ai./m.j