Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur të heqin posterat e organizimit të fushatës: “Të dua Çamëri”.
Lajmi është konfirmuar nga organizatori i kësaj fushate, Erduan Dauti, i cili bën me dije se në qytetin e Shkupit janë vendosur disa postera me mbishkrimin “Të dua Çamëri”, me qëllim përkujtimin e të drejtës natyrore të popullit shqiptar çam për tokën e tyre.
Dauti shpreson që ky veprim i institucioneve përkatëse maqedonase, të mos ndikojë tek qytetarët për t’iu bashkuar marshimit të paqes, që pritet të mbahet ditën e enjte.
“Njëra nga aktivitetet që ka qenë, ishte edhe zbukurimi apo vendosja e banderolave nëpër çarshi të Shkupit dhe nëpër disa vende në Shkup, por fatkeqësisht nga ana e policisë ato banderola në disa vende janë larguar edhe pse për këtë organizim ne kemi marrë edhe leje paraprake nga ana e organeve kompetente por fatkeqësisht siç duket dikujt këto banderola i kanë penguar dhe i kanë larguar, por shpresojm se kjo nuk do të ndikoj, dhe ditën e enjte qytetarët në mënyrë paqsore t’i bashkangjiten këtij marshi”, deklaroi ai.
Në lidhje me këtë lajm, reagoi edhe shkrimtari shqiptar Kim Mehmeti, i cili përmes një mesazhi në rrjetet sociale, theksoi se jo vetëm sheshet, por çdo shtëpi shqiptare në Shkup, duhet stolisur me mbishkrimin: E dua Çamërinë.
Sipas tij, policia maqedonase pa asnjë sqarim, të martën i paska hequr mbishkrimet “E duam Çamërinë”, ndërsa nga ana tjetër mediat maqedonase qenkan alarmuar nga ‘irredentizmi’ shqiptar, i shprehur nëpërmjet dashurisë ndaj një pjese të vetvetes.
“Nuk ka dyshim se, sikur të mundej, policia maqedonase do e shlyente nga kujtesa jonë jo vetëm kujtesën për tragjedinë çame, por edhe mbëmendjen për vetveten. Pra do na e ndalonte ta duam gjithë shqiptarinë dhe do na çonte të mburreshim me himnin shtetëror që rrëfen për “maqedonasit e kudondodhur, që janë zgjuar dhe luftojnë për të drejtat e tyre”, shkruan Mehmeti.
Më tej, sqaron se shqiptarët e Maqedonisë duhet ta kuptojnë se nuk kanë gjithaq problem me antishqiptarinë institucionale, e cila do t’i bindë se për ata çdo gjë duhet të përfundojë te trau ndërkufitarë në Qafë të Thanës dhe në Bllacë.
Ai thekson se problemi i tyre është se janë edhe disa ‘shkije’ që ndërrojnë ngjyrën nga e kuqja në të gjelbër, si të ishin kameleonë, por të cilët assesi nuk e kuptojnë se kolltukët e tyre janë veshur me përbuzjen dhe urrejtjen ndaj shqiptarisë.
“Andaj tani jo vetëm sheshet, por edhe shtëpia e çdo shqiptari shkupjanë, duhet të stoliset me mbishkrimin ‘E dua dhe kurrë nuk e harrojë Çamërinë”! Dhe të shohim a do vijë policia maqedonase t’i gëlqeros edhe muret e shtëpive tona!”, tha ai. (Panorama)