Në Bruksel mblidhet sot Këshilli Europian. Liderët e rajonit pritet që të vendosin për datën për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Kur kanë mbetur edhe pak orë nga mbledhja Bullgaria duket se po mban peng Maqedoninë e Veriut pasi ende nuk ka sinjal për të hequr veton për integrimin europian, duke penguar kështu edhe Shqipërinë pasi vendimi deri tani mendohet se do të jetë për të dyja vendet.
Deri më tani Komisioni Evropian vijon që të apelojë Këshillin që ta përcaktojë sa më shpejt të jetë e mundur këtë datë.
Tashmë ka mbetur vetëm një pengesë për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare që është qëndrimi i Bullgarisë. Për arsye të përplasjeve me Maqedoninë e Veriut qeveria bullgare bllokon kështu automatikisht edhe Shqipërinë, pasi pritet që përcaktimi i datës të bëhet për të dyja shtetet njëherazi.
Në vizitën e fundit në Tiranë, komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi tha se unioni po punon edhe pas kuintave për të arritur që Bullgaria të mos pengojë një vendimmarrje pozitive për Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë Disa ditë më parë edhe ministri gjerman për Evropën Michael Roth tha nga Tirana se për Gjermaninë përcaktimi i datës së konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat të BE-së me Shqipërisë duhet të merret sa më shpejt pasi Shqipëria i ka plotësuar kushtet. Ndërkohë që Holanda i dha ‘dritën jeshile’ Shqipërisë duke zbutur skepticizmin e saj prej vitesh në lidhje me nisjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE. Vetë parlamenti holandez miratoi qëndrimin e Qeverisë së tyre për të mbështetur reformat dhe zhvillimin e Shqipërisë.
Ndërkohë Kryeministri Edi Rama në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për një nga televizionet më të mëdha në Francë, “France 24” edhe pse mendon se Shqipëria duhet të marrë dritën jeshile nga Brukseli, shtoi se asgjë nuk e surprizon nga vendimi i liderëve të Bashkimit Europian.
” Duhet thënë se në samitin para pandemisë, u vendos që të hapeshin bisedimet, më tej kjo u zgjat sepse duhej të merrej një vendim për të thirrur Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Për fat të keq tashmë, unë u mësova të mos habitem më me atë që mund të ndodhë në Bruksel, sepse është një çështje e dinamikës së brendshme, një histori konsensusi që ndonjëherë është i vështirë, normalisht duhet ta marrim dritën jeshile duke mbajtur parasysh se ka një problem tjetër mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, sepse ne dhe Maqedonia e Veriut e presim së bashku këtë vendim dhe do të shohim nëse ky problem do të zgjidhet përpara samitit”, tha Rama disa ditë më parë./ shqiptarja.com
g.kosovari