Nga Fatmir Merkoçi
Reforma në Drejtësi, nuk mundet të jetë reformë hakmarrjeje politike. Kjo për faktin e thjeshtë se u bë për të rikthyer besimin e popullit tek Drejtësia. Nuk mundet të gjykojmë mbi baza politike por, gjykimi duhet të jetë, mbi frymën e germën e Kushtetutës. Ndryshe Drejtësia është vasale e politikës dhe e shtetarëve.
U fol shumë për financier të mëdha në Drejtësi. Ajo që është e prekshme po duket ndryshe. Në gjykatat e rretheve ka numër të kufizuar gjyqtarësh. E njëjta situatë është dhe në gjykatat e Apelit. Kjo ka sjellë jo vetëm zgjatje seancash por, dhe mos zbardhjen e vendimeve nga gjyqtarët (pa llogaritur gabimet në vendime ku, jo rrallëherë merren mota mo, veç me ndryshim emrash). Kjo ka sjell dhe një amulli në bërjen e ankimeve në gjykatën e shkallës më të lartë.
Por, ashtu siç ka hierarki shteti, ashtu kanë dhe gjykatat. Pra, çdo gjë fillon nga lart, që është Gjykata Kushtetuese. Mos funksioni me një legjitimitet të plotë i kësaj gjykatë, që nuk po luan rolin kryesor të saj. Them kryesor pasi është jo vetëm më e larta por, dhe udhëzuese për shumë vendime të gjykatave të mëposhtme. Ajo që bie në sy në vendimin e Gjykatës Kushtetuese me nr. 26 datë 25.05.2021 me OBJEKTI: Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Interpretimi i nenit 98, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. vërejmë se.
Përveç faqeve të tëra shtjellimi, në pjesën vendimarrëse, nuk jep asnjë qartësi për zgjidhjen e themelit. Duket se del qartë paaftësia e logjikës juridike dhe trysnia politike. Por nuk është hera e parë që hasim në vendime të tilla. Në shkallët e tjera të gjyqësorit, këto lloj vendimesh bëhen, nga trysnia e mungesës së logjikës juridike të gjyqtarëve ose nga efekti korruptuar, pa përjashtuar dhe urdhrat politik. Ky është dëmi më i madh që i bëhet drejtësisë.
Arsyeja: Dhe pse u pretendua se Reforma do i jepte dhe pavarësi gjyqësorit, kjo gjë nuk ndodhi. Fakti është prezent: Lufta për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ishte një luftë publike e mediatike. Emërimet u bënë sipas preferencës politike dhe jo profesionale. Kjo gjë u vërtetua dhe nga vendimi që citova më sipër.
Nëse kam këmbëngulur që Reforma në Drejtësi, ka dështuar, këtë nuk e kam thënë për bindje politike por për bindje profesionale. Pasi tashmë, çdo gjyqtar apo gjykatë, mundet të marrë një vendim të tillë. Pasoja është e rëndë. Nëse këtu kemi një konflikt President- Qeveri ku, çështja u zgjidh me kalim kompetencash, në konfliktet civile, pasojat rëndojnë tek individi. Ku jo rrallë vendime të këtij karakteri kanë sjellë edhe pasoja të rënda. Aq sa sot, vetëm nga vendime të tilla janë me dhjetëra e qindra konfliktet sidomos për çështje pronësie.
Dhe nuk është vetëm gjyqësori, që vuan. Një hallkë e sistemit është dhe prokuroria, ku jo rrallë herë kemi çështje të cilat mbartin dhe kosto financiare. Nëse kemi ngritur institucione, apo ndryshuar Kodin Penal, kjo nuk ka sjell asnjë ndryshim. Pasi në reformë, duhej ndryshuar më shumë se Kodi, procedura e hetimit. Sot vazhdohet më të njëjtën procedurë hetimi. Pra, ai hetimi i thellë dhe i vazhdueshëm, ku si pasojë sjell dhe rezultatin final, që sot mungon.
Reforma nuk është një çështje veç ligjore, në radhë të parë është dhe mentaliteti. Rrallë herë përdoret logjika juridike. Kjo sepse, me sa duket, nga shiu ramë në breshër. Politika gjithmonë ka akuzuar tjetrin se ka kapur drejtësinë. Rolet janë ndërruar kur janë ndërruar pushtetet. Sot kemi një reformë jo vetëm të dështuar në thelbin e saj dhe jo vetëm që nuk prodhoi asnjë impakt tek qytetarët, por më e keqja, tashmë emërimet janë politike. Kjo do sjelli një kaos të ri në Drejtësi.
Ajo që del si domosdoshmëri e kohës është bërja e një Kushtetute të re. Një Kushtetutë ku të këtë dhe ndryshimin e sistemit. Sistemi Kuvendar, ashtu siç e kam deklaruar vite më parë, është sistem i dështuar. Është ky sistem që ka pjellë veç diktator në këtë vend. Nëse do vazhdojmë me arnime do krijojmë veç se një shtet e një drejtësi të arnuar.