Sekretari Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi denoncon se punonjësi i zjarrfikëses së Tiranës, Ndriçim Harka, i arrestuar sot për trafik kokaine, ka qenë në listën e patronazhistëve të Partisë Socialiste.
Përmes një postimi në “Facebook”, Bardhi shkruan se përgjimet tregojnë se kanë qenë të angazhuar në blerje votash për regjimin Rama-Doshi, ndërsa shton se është një tregues i qartë se si e ka marrë pushtetin “Rama-Doshi”.
Më tej, demokrati vuri theksin te këmbëngulja e opozitës për të vijuar deri në fund betejën kundër regjimit.
“Ndalohen dy trafikantë droge dhe përgjimet tregojnë se kanë qenë të angazhuar në blerje votash për regjimin Rama-Doshi. Arrestohet për trafik droge një punonjës i zjarrëfikëses në Tiranë dhe rezulton të jetë patronazhist i PS-së. Ky është kriminalizimi i politikës, kjo është masakra zgjedhore e 25 prillit, kështu u pengua ndryshimi që njerëzit donin, me trafikantë droge e paratë e pista të drogës. Zhbërja e kësaj padrejtësie është dhe do të mbetet misioni ynë. Ne nuk do të ndalemi në betejën tone kundër kësaj pakice që përdor çdo mjet për të tjetërsuar vullnetin e lirë të shqiptarëve. Me shumicën e qytetarëve ne do të kthejmë legjitimitetin dhe demokracinë në vend.”
/a.r