Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mirëpriti sot në zyrën e tij homologun e Athinës, Kostas Bakoyannis të cilit i dhuroi “Çelësin e Qytetit”. Takimi mes dy homologëve u bë pikërisht pas lajmit të mirë ku Greqia hapi kufijtë me Shqipërinë pas bllokimit në kuadër të pandemisë së Covid-19.
“Ke ardhur me këmbë të mbarë”, – iu drejtua Veliaj homologut të tij, – “sepse sot është dita e parë e hapjes së kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke rritur kuotat derisa të shkojmë në një hapje totale. Faleminderit që ishe pasagjeri i parë që hape kufirin dhe jam i sigurt që është një lajm fantastik për të gjithë shqiptarët dhe grekët në të dyja anët e kufirit. ”
Kryebashkiaku Veliaj shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të mira se ç’ishin dje, teksa shton se nesër do jenë akoma më të mira se ç’janë sot.
“Propozimet që patëm sot për të bashkëpunuar në turizëm, për të bashkëpunuar tek rinia, tek teknologjia, për të bashkëpunuar dhe në çështjet sociale sidomos teksa ne ngrihemi nga pandemia me shumë probleme sociale, me njerëz që mund të kenë humbur punën, me njerëz që kanë pasur humbje në familje, me njerëz që mund të kenë humbur banesën”, nënvizoi Veliaj.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Athinës, Bakoyannis falenderoi Velajn për dhuratën me simbolikë të veçantë, teksa tha se vëren se Tirana po transformohet dita-ditës me hapa të shpejtë.
“Në Athinë kemi një prezencë të madhe të diasporës shqiptare, të emigrantëve shqiptarë aty, që përbëjnë një pjesë përbërëse të jetës së qytetit tonë. Ky çelës dhe ky besim tek unë, është me themele të forta. Ne kemi detyrimin të ecim përpara me guxim dhe vendosmëri. Jo në teori, jo me fjalë, por me vepra. Të bashkëpunojmë me të njëjtin vrull me të cilën shoh se si transformohet qyteti i Tiranës. Me të njëjtin vrull që edhe ne dëshirojmë që ta transformojmë qytetin e Athinës dhe tani kemi rastin të bashkojmë forcat”, pohoi Kostas Bakoyannis.
Në fund ai i bëri një ftesë kryebahskiakut Veliaj që të vizitojë sa më parë Athinën, teksa i dhuroi statujën e “Perëndeshen e Athinasë”, simbol i dijes dhe mençurisë në shenjë mirënjohjeje.
g.kosovari