Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar këtë të premte se në dy ditët e ardhshme pritet që të vijnë sasi të tjera vaksinash që përfitohen si pasojë e kontratrave të ndryshme.
Ajo u shpreh se fillimisht do të vijnë 100 mijë vaksina Coronavac ndërsa të hënën sasia tjetër e dozave Pfizer. Ministrja u shpreh se me këtë lëvrim do të ulet në 50 vjeç mosha e të vaksinuarve.
“Ne jemi duke punuar që gjatë sezonit veror të kemi vëmendje të posaçme tek vaksinimi. Ashtu sikurse përgjatë gjithë këtyre muajve, jemi duke punuar për të patur një intensitet dhe ritëm të latrtë të vaksinimeve. Presim që brenda 2 ditëve të ardhshme të kemi sërish një lëvrim të kontratave të vaksinave të lidhura. Do të jenë 100 mijë vaksina Coronavac që pritet të mbërrijnë në ditët e ardhshme ndërkohë 11 700 vaksina Pfizer pritet që të mbërrijnë ditën e hënë. Me këtë mbërritje të vaksinave do të mundemi që të zgjerojmë fashën e vaksinimeve sipas kalendarit tonë dhe planit duke e ulur në 50 vjeç dhe duke ia dedikuar si fillim atyre që kanë sëmundje kronike një vaksinim të shpejtë”, tha Manastirliu.
Gjatë inspektimit në qendrën shëndetësore Mali i Robit në Golem, një prej zonave me fluksin më të madh të pushuesve gjatë sezonit veror, Ministrja e Shëndetësisë tha se 29 qendrat shëndetësore verore kanë nisur të ofrojnë shërbim 24 orë në 7 ditë të javës.
“Prej datës 15 Qershor kemi hapur 29 qendra shëndetësore verore, nga Thethi në Ksamil, ku ndër të gjitha shërbimet që ofrojnë këto qendra, kemi shtuar edhe shërbimin e testit të shpejtë, një shërbim i cili do të garantojë kapjen në kohë të rasteve me Covid19 dhe menjëherë do të informohet Instituti i Shëndetit Publik dhe Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për ndjekjen e rasteve, izolimin e tyre”, tha Manastirliu.
Në qendrat shëndetësore verore janë 170 mjekë dhe infermierë të trajnuar në shërbim 24 orë për pushuesit dhe turistët. Strukturat e shëndetësisë kanë marrë masat për të garantuar barnat dhe materialet mjekësore për rastet e urgjencës, ndërsa rrjeti i autoambulancave është organizuar edhe me 14 postacione fikse pranë zonave turistike, për akses më të shpejtë në shërbim.
/a.r