Një shqiptar mbeti i plagosur me thikë pas një sherri me një italian në qytetin Rivoltella di Desenzano në Itali.
Shtypi italian raporton se autori është një 50-vjeçar, person me precedent penal. Sherri ndodhi jashtë një lokali për motive banale. Pas konfliktit verbal, autori nxorri thikë dhe goditi 47-vjeçarin shqiptar.
Thika kishte prekur arterien në krahun e majtë. Për fat të mirë, në vendngjarje ishte i pranishëm edhe një mjek, i cili ndërhyri menjëherë duke bërë të mundur bllokimin e gjakderdhjes së shqiptarit, deri sa aty mbërriti helikopteri i urgjencës dhe e transportoi 47-vjeçarin në spitalin e Breshias.
Ndërsa autori u largua nga vendngjarja dhe u arrestua disa orë më vonë. Ai ishte fshehur në banesën e një çifti me të cilët kishte njohje.
Këta të fundit u proceduan penalisht në gjendje të lirë për përkrahjen e autorit të krimit. 50-vjeçari italian akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë. Atij iu sekuestrua edhe thika me të cilën dyshohet se ka kryer krimin.
/a.r