Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani e konsideron situatën aktuale politike në vend “të trishtueshme”.
Në një prononcim ekskluziv për Euronews Albania, z. Mejdani duket se nuk ndan të njëjtin mendim me socialistët për shkarkimin e Ilir Metës.
Ai tha se duhet menduar me maturi të thellë përpara se të ndërmerren akte konkrete pët të akuzuar një kryetar shteti.
“Këtë pyetje bëjani Partisë Socialiste. Për mua duhet menduar shumë mirë para se të akuzohet presidenti”, tha Mejdani.
Ai tha se shpreson, që Gjykata kushtetuese do të marrë vendimin e duhur në lidhje me çështjen e shkarkimit të Metës.
“Unë shpresoj që Gjykata Kushtetues të marrë vendimin e duhur”, shtoi Mejdani.
Kuvendi më 9 qershor votoi me 104 vota pro, shtatë kundër dhe tre abstenime për shkarkimin nga detyra të presidentit Ilir Meta me argumentin kryesor se ka shkelur rëndë Kushtetutën.
Por, pavarësisht aktit të Parlamentit, vulën finale për shkarkim ose jo të Presidentit të Republikës e ka në dorë tashmë institucioni i Gjykatës Kushtetuese, që është njëherësh organi më i lartë në vend./m.j