Granit Deromemaj, efektivi i Antidrogës që ishte në një makinë me biznesmenin vlonjat Bledar Birçaj, në momentin kur ky i fundit u ekzekutua me breshëri kallashnikovi, është përjashtuar nga Policia e Shtetit.
Vendimi është firmosur nga Drejtori i Policisë, Ardi Veliu, ndërkohë që përjashtimi i tij ka lidhje me faktin se ai nuk reagoi në momentin që ndodhi ngjarja, edhe pse kishte armën e shërbimit me vete.
Gjithashtu, ai akuzohet se kishte dijeni që Birçaj lëvizte me armë pa leje në makinë, por e ka fshehur këtë fakt.
Në dëshminë e tij para hetuesve, Deromemaj ka thënë se njihej me viktimën prej kohësh.
Ngjarja ndodhi në 11 maj të këtij viti në Vlorë, ku viktima Bledar Birçaj u ekzekutua në makinën e tij. Në të njëjtin mjet ishin edhe efektivi Deromemaj dhe një kushëri i viktimës, të cilët fatmirësisht i shpëtuan plumbave./m.j