Nga Adriatik Doçi
Pas krerëve të politikës, Report Tv publikon edhe ndryshimet në pasurinë e krerëve të institucioneve të pavarura gjatë vitit 2020. Vitore Tusha deklaron gjatë vitit që lamë pas rreth 40 mijë USD të ardhura nga pagat si kryetare e Gjykatës Kushtetuese, nënkryetare e KED dhe eksperte trajnimi në Shkollën e Magjistraturës. 580 mijë janë të ardhurat nga pensioni i bashkëshortit. Vajza e saj, Elira Tusha ka fituar 29 mijë USD si notere dhe nga puna pranë Fakultetit të Drejtësisë, ndërsa vajza tjetër, Renisa Tusha, ka fituar rreth 11 mijë USD nga paketa e ndihmës në Itali dhe punësimi atje.
Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushaj, i cili ushtron edhe kompetencat e kryetarit, deklaron 2.9 milionë lekë të ardhura nga paga, 1 milionë lekë ose 10 mijë USD nga paga si ish-drejtor i Shkollës së Magjistraturës, 7.3 mijë euro si ekspert për përgatitjen e komentarit elektronik për ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, 5 mijë euro nga dhënia me qera e shtëpisë në Tiranë, si dhe 400 mijë lekë për referim në Konferencën e 75 vjetorin të Çlirimit të Atdheut, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe si anëtar në bordin editorial të Revistës Avokatia.
Ndërkaq, bashkëshortja e Sadushit, Evi Sadushaj deklaron 11 mijë euro pagë si sekretare në ambasadën shqiptare në Spanjë si dhe 14 mijë euro pagesë për qiranë në Spanjë nga Ministria e Jashtme. I biri Kejdi Sadushaj deklaron 1.1 milionë lekë pagë si jurist. Sadushi dhe bashkëshortja e tij deklarojnë edhe 30 mijë euro obligacione, llogari me vlerë 10 mijë euro, 11 mijë euro, 740 mijë lekë, depozitë 1 milionë lekë ose 10 mijë USD dhe depozitë 1.6 milionë lekë.
Kreu i SPAK Arben Kraja deklaron 4.7 milionë lekë ose rreth 47 mijë USD të ardhura nga paga për vitin 2020, 164 mijë lekë nga obligacionet si dhe 7.8 mijë euro pagesë për dëme nga tërmeti i nëntorit 2019. Bashkëshortja e tij, Gladiola Kraja deklaron 2.9 milionë lekë ose 29 mijë USD të ardhura nga punësimi në Bankën e Shqipërisë si dhe 250 mijë lekë të ardhura nga shitja e një automjeti. Pra të ardhurat e të dy bashkëshortëve janë rreth 80 mijë USD në vit. Kraja vijon të shlyejë dy kredi për strehim dhe mobilim, në shumat 8 milionë lekë dhe 2 milionë lekë.
Drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj rezulton me të ardhura më të pakta mes krerëve të drejtësisë së re. Hajnaj deklaron 1.2 milionë lekë të ardhura nga paga në Policinë e Shtetit deri në gusht të vitit 2020. Edhe pse është emëruar në krye të BKH që në korrik 2020, Hajna vijon të mos paguhet, për shkak të mungesës së parashikimit ligjor për pagat e drejtuesit dhe hetuesve të BKH. Përpos pagës së saj gjatë gjysmës së vitit 2020, zonja Hajnaj deklaron edhe 503 mijë lekë pagë të bashkëshortit si specialist tek rezidencat studentore.
Ndërkaq, kryeprokurori Olsian Çela deklaron vetëm 2.7 milionë të ardhura nga paga si prokuror dhe nga mësimdhënia në Shkollën e Magjistraturës. Kryeprokurori nuk ka të ardhura të tjera. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani deklaron 2.1 milionë lekë të ardhura nga paga e tij si dhe 2.1 milionë lekë pagën e bashkëshortes Ada Metani pranë AMF-së. Metani, gjatë vitit 2020, ka marrë një kredie me vlerë 6 milionë lekë për blerje banese dhe mobilim.
Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, gjatë vitit 2020, ka përfituar 120 m2 truall në Tiranë, lënë trashëgim nga nëna e saj si dhe ¼ pjesë të një apartamenti në Kavajë. Zonja Llagami deklaron 2.6 milionë lekë ose rreth 26 mijë USD të ardhura nga paga si kryetare e KLGJ dhe nga pjesëmarrja në Këshillin Drejtues në Shkollën e Magjistraturës. Ndërsa paga e bashkëshortit të saj, Gerand Ylli, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave është 1.3 milionë lekë.
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, mbetet një nga njerëzit më të pasur të drejtësisë së re, për shkak të trashëgimit të pasurive të paluajtshme. Kreu i KLP është pronar me 33.33 të pjesës i 22 pasurive të paluajtshme, ku përfshihen mbi 40 mijë m2 truall, 6 magazina me sipërfaqe nga 300 m3 deri në 1 mijë m2, ndërtesa, apartamente, garazhe etj. Ibrahimi ka në pronësi me 50 % të pjesës së një vile në Lundër, 238 m2 dhe me vlerë 237 mijë euro, pronë të cilën e ka përfituar në vitin 2010. Ibrahimi ka përfituar me trashëgimi nga nëna 17 % të një tjetër vile në Lundër të Tiranës, 238 m2, me vlerë 237 mijë euro. Më parë ka lidhur një kontratë sipërmarrje me një kompani private, nga e cila do të përfitojë dy apartamente, një dyqan dhe një vend parkimi në Skelë të Vlorës, me vlerë 150 mijë euro. Ibrahimi ka deklaruar dhe makinë 45 mijë USD. Të ardhurat vjetore, nga paga e tij, e bashkëshortes dhe qiratë janë 80 mijë USD. (shqiptarja.com)
(Kliko këtu për të parë pasurinë e Sokol Sadushit)
(Kliko këtu për të parë pasurinë e Artur Metanit)
(Kliko këtu për të parë pasurinë e Vitore Tushës)
(Kliko këtu për të parë pasurinë e Aida Veizaj)