Ministri i Jashtëm grek Nikos Nikos Dendias ka paralajmëruar Gjermaninë të mos i shesë nëndetëse Turqisë, pasi ky veprim sipas tij do t`i ndryshojë ekuilibrat në Detin Egje në favor të Ankarasë.
Kryediplomati grek zhvilloi një takim në Athinë me zëdhënësin e grupit parlamentar të Social Demokratëve (SPD) për punët e jashtme në parlamentin gjerman, Nils Schmid.
“Unë nuk mund të mos shpreh zhgënjimin tonë të thellë për rolin e SPD lidhur me embargo e armëve ndaj Turqisë. Si Kryeministri Mitsotakis, ashtu edhe unë ua kemi thënë pothuajse të gjithëve në Gjermani sesa e nevojshme është të ruhet ekulibri në Egje”, tha Dendias. Athina u ka kërkuar vazhdimisht partnerëve të saj në BE të vendosin një embargo armësh ndaj Turqisë, nisur nga përshkallëzimi i mosmarrëveshjeve mes dy vendeve në Mesdheun Lindor, që i cuan ato në prag të konfliktit të armatosur.
Gjermania, Spanja dhe Italia kanë bllokuar kërkesën e Greqisë në Këshillin e BE-së, ndërsa SPD votoi së fundi projekt-ligjit që ndalon eksportin e nëndetëseve në Turqi. Dendias pretendon se dorëzimi i nëndetëseve një vendi që vazhdon të destabilizojë rajonin, do të ndryshojë balancën e pushtetit në kurriz të shteteve që sipas tij duan qëndrueshmëri dhe respektojnë rregullat ndërkombëtare.