Shtyhet seanca për mbrojtjen e Nevaldo Hajdarajt i akuzuar për vrasjen e Klodian Rashës më 8 dhjetor të 2020.
Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e avokatit Adriatik Cama i cili mbeti i plagosur dy javë më parë, në ngjarjen ku humbi jetën Kudret Saliaj.
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 20 vite burg për efektivin Nevaldo Hajdarajn. Në sajë të gjykimit të shkurtuar, i cili është pranuar, efektivit të policisë do ti ulet 1/3 e dënimit, duke marrë një dënim 13 vite e 4 muaj burg, në rast se pretenca do të pranohet nga Gjykata. Sipas prokurorisë vrasja është kryer me dashje. Ndërkohë prezent në sallën e gjyqit ka qenë prezent edhe babai i Klodian Rashës, Qazim Rasha.
Kujtojmë se 25-vjeçari Klodian Rasha u vra më 8 dhjetor, nga ish-polici i “Shqiponjave” Nevaldo Hajdaraj. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Dritan Hoxha” rreth orës 01:10, ndërsa viktima ishte duke ecur në rrugicën pranë shtëpisë së tij, duke shkelur orën policore të vendosur për shkak të pandemisë.Pas vrasjes së Rashës, vendi u përshi nga protesta që zgjatën për disa ditë me radhë që pasuan me dorëheqjen e Sandër Lleshajt. Sakaq rruga ku i riu u vra mori emrin e tij, rruga “Klodian Rasha”. Vendimi u miratua nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.
/b.h