Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 17 tetor 2021 për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë.
“Presidentja ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në përputhje me këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në një njoftim nga Presidenca.
Shpallja e datës së zgjedhjeve pason konsultimet që ka zhvilluar presidentja Osmani me përfaqësuesit e partive politike në fillim të muajit qershor.
Më 14 qershor, një ditë para shpalljes së datës për zgjedhjet lokale, presidentja Osmani ka shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe në këtë pozitë ka emëruar Kreshnik Radoniqin, i cili është gjyqtar në Departamentin special të Gjykatës së Apelit.
Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë kundërshtuar vendimin duke thënë se ai rrezikon edhe pavarësinë e mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në organizatën joqeveritare FOL, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pas zgjedhjeve të fundit parlamentare më 14 shkurt, zgjedhjet lokale do të krijojnë një hartë të re politike, por ndryshimi nuk do jetë i theksuar si në nivel qendror.
“Do të ketë ndryshime, por nga ajo që shihet edhe nga vetë qytetarët, nuk është se janë më të kënaqurit nga të zgjedhurit në nivel qendror. Kështu që nuk besoj se kjo shumicë do të reflektojë edhe në nivel lokal, sepse ka një zhgënjim mjaft të madh sa i përket punës së qeverisë deri më tani, pasi i kanë të gjitha mundësitë që të punojnë dhe marrin vendime më të shpejta, për shkak të shumicës që kanë në Kuvendin e Kosovës”, tha Demolli-Nimani.
/a.r