Kryetari i Bashkisë së Vlorës nuk është paraqitur në mbledhjen e kërkuar nga këshilltarët. Për më tepër, Dritan Leli mësohet të ketë penguar zhvillimin e takimit në ambientet e teatrit ‘Petro Marko’ nën pretendimin se shkelen masat anti-Covid.
Por në lidhje me këtë precedent, ka reaguar edhe deputeti socialist i Vlorës, Anduel Tahiraj. Ky i fundit u shpreh sot se përmes këtij akti kryebashkiaku po pengon të zgjedhurit e qytetarëve që të kryejnë detyrën.
“Mënyra se si zhvillohet mbledhja përcaktohet nga Këshilli dhe jo nga kryetari. Numri i pjesëmarrësve është llogaritur brenda përcaktimeve ligjore për masat anti-covid. Dritan Leli e liron sallën për partitë politike dhe ia mbyll Këshillit Bashkiak” – është shprehur Tahiraj.
Sipas tij, akti i Lelit është papërgjegjshmëri që cenon qytetarët e Vlorës. Deputeti i PS shtoi se u kërkon ndjesë qytetarëve për këtë sjellje të turpshme të Lelit.
“Këshilli është i vendosur që të garantojë transparencë në punët publike të qytetit. Ne do të përdorim të gjitha instrumentet e kontrollit që ka Këshilli për të garantuar llogaridhënien” – tha deputeti i zgjedhur i PS, aktualisht kryetar i Këshillit Bashkiak.
Kujtojme se pak ditë më parë Lulzim Basha zhvilloi takim në sallën e ‘Petro Markos’, pa hasur asnjë pengesë nga Leli sa i përket masave-anticovid.
/a.r