Jo më kot mban vendin e parë në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s. Belgjika tregoi menjëherë kualitetin në debutimin në “Euro 2020”, ndërsa forcën e tyre e provoi Rusia, që u mund 3-0.
Mjaftuan vetëm 9 minuta për “djajtë” që të zhbllokonin ndeshjen. Romelu Lukaku shërbehet në zonë dhe pas një gabimi në prapavijën ruse, topi shkon pikërisht në këmbët e tij, me bomberin e Interit që nuk fal i vetëm përballë portierit.
Rusia përpiqet të reagojë, por nuk është mjaftueshëm kërcënuese për portierin Courtois. Meunier, i cili zëvendësoi Castagne të dëmtuar, kthehet në protagonist duke realizuar edhe golin e dytë për të tijtë.
Nën rezultatin 2-0 skuadrat zbresin në fushë për 45 minutat e dyta, të cilat prodhojnë pak spektakël, me rastet që krijohen gjithmonë pranë portës ruse. Në minutat e fundit, Lukaku shënon edhe golin e tretë, pas një pasimi të Meunier.
Belgjika e nis mbarë dhe bën praktikisht gjysmën e punës në fazën e grupeve duke qenë se arrin të marrë pikët e plota përballë një prej skuadrave pretendente të grupit B.