Para pak kohësh këngëtari i njohur Aleksandër Gjoka është arrestuar nga policia pasi u përfshi në një aksident dhe u transportua në spitalin e Traumës për shkak të lëndimeve të marra në aksident. Gjoka rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe nisur nga kjo, gjykata vendosi për të arrest shtëpie.
Mbrëmjen e kësaj të shtunë në emisioni “Soiree” me Jonida Shehun në ABC ishte i ftuar këngëtari nëpërmjet një lidhje skype për të përshëndetur nipin e tij Renis Gjokën dhe për ta uruar për koncertin që do të sjellë më 18 qershor në ekranin e ABC.
Pyetur nga moderatorja Jonida Shehu se si po e kalon arrestin e shtëpisë, ai tha se po e shijon vërtet.
Biseda e plotë:
Jonida Shehu: Kush është më rebel, ti apo Renisi? Të ka ngjarë ndopak Renisi tek kjo natyra jote rebele e të thyerit të rregullave?
Aleksandër Gjoka: Renisi është kantautor demokracie. Renisi është shumë më i përmbajtur, më i qetë.
Jonida Shehu: Çfarë këshillash i jep zakonisht Renisit?
Aleksandër Gjoka: Unë s’para jap këshilla, por në karakter jo, në muzikë po mund t’i jap. Nuk dua që të më ngjajë mua.
Jonida Shehu: Për çfarë nuk do të të ngjajë ty?
Aleksandër Gjoka: Në karakter, në jetën private, në jetën e përditshme. Në muzikë pastaj le të jetë rebel s’ka problem.
Jonida Shehu: Gjatë këtyre ditëve që ti po vuan arrestin e shtëpisë, je në një farë mënyre i kufizuar. A ndihesh si rock-u në diktaturë? Dhe si ndihet Sandër Gjoka që të mos ketë mundësi të mos lëvizi lirshëm dhe të mos e ketë lirinë absolute siç ai është mësuar gjithmonë ta ketë?
Aleksandër Gjoka: Qesh. Jo, këtu kam hapësirë. Nuk krahasohet ky arresti im në demokraci në krahasim me kohën e diktaturës.
Jo, jo është si nata me ditën. Unë po e shijoj arrestin këtu shumë bukur nën rrezet e diellit përvëlonjës. Jam mirë. Ndoshta më mungon skena.