Kandidatja për kryetare të Partisë Demokratike, Edith Harxhi, ka dalë sërish me një reagim në rrjetet sociale, teksa na ndajnë vetëm pak orë para zgjedhjeve brenda partisë.
Pasi denoncoi më herët se nuk i është vënë në dispozicion lista e anëtarëve të partisë, ka bërë një rezyme të gjithë takimeve me antarësinë gjatë këtyre diteve, ku falenderon demokratet.
Gjithashtu Harxhi, vë në dukje faktin se si Basha bëri thirrje për të bojkotuar kandidatët e ndryshëm, ndërsa fshehu listat e anëtarëve dhe u mundua të manipulojë procesin.
“Përshtypje nga takimet me antarësinë e Partisë Demokratike
Të nderuar miq anëtarë, qëndrestarë dhe themelues të Partisë Demokratike,
Që në fillim të kësaj përshendetje dua t’ju drejtohem duke ju shprehur falenderimin tim të madh e të përzemërt për kohën, respektin, dashamirësinë dhe mbështetjen që më dhatë gjatë kësaj përpjekjeje të përbashkët për Partinë Demokratike, për njëri tjetrin, për brezat dhe për vendin tonë.
Edhe pse koha ishte e pamjaftueshme për të takuar sa më shumë nga miqtë e bashkëudhëtarët e mij, qëndrestarët dhe të rinjtë e partisë tonë të madhe, në një nga fushatat më të shkurtra për drejtuesin e partisë në historinë e një partie perëndimore dhe njëkohësisht antarë të familjes së Partisë Popullore Europiane, është gjithmonë kënaqësi e krenari e veçantë të kesh mundësinë të qëndrosh përkrash jush, siç kemi qënë bashkë, që prej ditëve të para të themelimit të Partisë Demokratike.
Gjatë takimeve të zhvilluara me strukturat e Partisë Demokratike, m’u dha mundësia të ndjej energjinë më të mirë, të dëgjoj mendimet dhe vërejtjet tuaja, të bëj reflektimet për atë që ka ndodhur me ne dhe me partinë tonë. Njëherazi kam ndjerë dhe gjithë përkushtimin për të çuar përpara projektin tonë, për të rikthyer organizatën tonë politike në një instrument demokratik e moral, në funskion të qeverisjes më të mirë të vendit.
Kudo ku pata mundësinë dhe fatin të vij për të bashkëbiseduar me ju, kam pohuar se megjithë kushtet aspak të barabarta në garë midis kryetarit në detyrë të PD dhe garuesve të tjerë, vendosa të marr pjesë në garë, për të treguar se pavarësisht gjëndjes ku ndodhet sot partia, kjo parti që lindi nga një ide e madhe si liria, ende nuk është mpakur nga humbjet e shumta të drejtuesve të saj të tanishëm. Vendosa me vetëdije të futem në këtë garë të pabarabartë edhe për t’i treguar njëri tjetrit, se demokracia nuk është vetëm cilesori i partisë tonë, por gjithashtu dhe shpirti i saj.
Pavarësisht ndjenjës të dëshperimit, të cilën askush prej nesh nuk e fsheh dot, pavarësisht zhgënjimit për mospërmbysjen e regjimit më të papërgjegjshëm që ka qeverisur ndonjë herë vendin tonë, të gjithë kemi një shqetësim të përbashkët; atë për t’u kthyer sa më parë në alternativën qeverisëse të vendit.
Përqasjet për ringritjen e domosdoshme të partisë tonë mund të jenë të ndryshme, por padyshim secila prej tyre duhet të nisë nga demokratizimi i partisë, modernizimi dhe moralizimi i saj. Ndërkohë të gjithë, me keqardhje, bashkëndajmë bindjen se procesi nga i cili duhet të fillojë ringritja, nuk mund të bëhet duke afruar datën, duke keqinformuar apo mos informuar strukturat e partisë, duke hermetizuar dhe manipuluar procesin, duke fshehur listat te antarëve dhe duke bërë thirrje për të bojkotuar kandidatët e ndryshëm nga kryetari në detyrë.
Unë gjatë këtyre ditëve pata nderin të ndaja me të gjithë ju një projekt, nëpërmjet së cilit mund të përballojmë, të gjithë bashkë, këtë gjëndje të vështirë, në të cilën ndodhet familja jonë politike.
Është një projekt në të cilin do të përfshihen, të vleresuar dhe të angazhuar, të gjitha grupimet që përbëjnë të djathtën tradicionale shqiptare, të përndjekurit, ose familjarë të tyre; pronarët e ligjshëm, njërëzit e shkolluar, profesionistë të lirë, të rinjtë, etj. Ky është një projekt, i cili ka në thelbin e vet demokratizimin e partisë, përfaqësimin, meritokracinë dhe mirënjohjen ndaj të shkuarës tonë, që, më së shumti, na bën krenare të gjithëve. Është një projekt i cili 13 qershorin nuk e ka datë përmbyllëse, por datë të fillimit të madh për të gjithë ne.
Unë do të jem me ju deri në mundësimin e ëndrrës tonë të përbashkët, atë që na shoqëron që nga themelimi i Partisë Demokratike: T’a bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”!