Nga hetimet rezulton se drejtuesit e kompanisë panameze, Ezquiel Ruiz Rodriguez dhe Lulian De Muschett janë persona të implikuar në një nga skandalet e viteve të fundit të korrupsionit në Spanjë. Ndërsa titullarja e llogarisë bankare prej nga u trasferuan paratë ishte e moshuara Anna Maria Poiatti. Sipas përshkrimit të bërë me këto para do të blihej një vilë në zonën e Plazhit në Durrës. Italiania e moshuar mohon të ketë lidhur kontratë me Gëzim Sallakun për blerjen e ndonjë prone dhe se paratë ia dha hua njërit prej vëllezërve të tij për 5 vite.
Në lidhje me shoqërinë në Panama, ajo sqaron se ka depozituar të ardhura përgjatë 40 viteve. Prokuroria thotë se ky ishte një truk i të dëbuarit nga Italia, për të fshehur origjinën e pistë të parave. Ndërsa në një hetim të ndjekur nga prokurori i Breshias, Sandro Raimondi ngrihen dyshime se paratë e trasferuara nga llogaria e Pioattit janë përdorur nga biznesmeni për të blerë drogë.
Në vitet 2011-2012 në llogaritë e të dënuarit janë kryer disa transaksione bankare në vlera të konsiderueshëm dhe dy nga trasfertat e ardhura nga kompania GSA Sallaku, srl në Itali janë trasferuar si borxhe te Rabi Kurti.
Me paratë e Panamasë dhe të tjera vëllezërit Sallaku kanë ndërtuar vila, kanë blerë troje dhe kanë ngritur biznese të ndryshme në Shqipëri. Prokurori Afrim Shehu ka dalë në konkluzionin se pasuritë e vëllezërve Sallaku mikut të tyre Rabi Kurtit janë produkt i veprimtarisë kriminale për këtë shkak i vendosi pronat nën sekuestro. Në dosjen e akuzës theksohet gjithashtu se poseduesit e pronave krijuan dokumenta false që të justifikonin burimet e paligjshme të krjimit të tyre. BW