Presidenti rus, Vladimir Putin e shtoi së fundi listën e veprimeve të tij që befasojnë perëndimin. Shefi i Kremlinit ka firmosur një ligji i cili vlerësohet se mund të pengojë përpjekjet për ekspozimin e korrupsionit ose kërkesën për llogaridhënien e zyrtarëve rusë.
Ligji në fjalë parashikon ndëshkime për të gjithë personat që zbulojnë të dhënat personale të zyrtarëve të sigurisë ose të afërmve të tyre. Dënimet nisin nga gjoba deri në 18 muaj pagë, puna e detyruar, arresti shtëpiak e burgimi.
Mendohet se kjo nismë ligjore mund të shkurajojë pikërisht lëvizje të tilla si ajo aktivistit dhe kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, që tashmë ndodhet prapa hekurave, i cili përmes organizatave të tij kishte publikuar të dhëna lidhur me pronat e fshehta të lidhura me zyrtarë të lartë rusë, përfshirë dhe vetë Putinin dhe ish-presidentin, Dmitry Medvedev.
Publikimi i tij “Pallati i Putinit”, mori mbi 100 milionë klikime në Youtube. Fondacioni kundër korrupsionit i Navalnyt është shpallur si “ekstremist” nga ana e një gjykate në Moskë.
Vetë Navalny po mbahet në burg, pasi u arrestua pas kthimit nga Gjermania ku është trajtuar për shkak të helmimit me agjent nervor të kategorisë ushtarake, gjatë vitit të kaluar gjatë një udhëtimit brenda Rusisë./m.j