Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e ka quajtur ‘rast fatkeq’ mesazhin kërcënues që prokurori i Përmetit, Asllan Bajrami ka marrë ditën e djeshme. Në një reagim të “thatë” për mediat, ku shkarazi përmendi edhe rastin e Bajramit, Gjonaj tha se magjistratët do të kenë më shumë mbrojtje në të ardhmen.
“Jam një ndër mbështetësit tuaj, në çfarëdolloj situate që do të keni, me qëllim që të ushtroni me përgjegjshmëri detyrën tuaj. Janë raste fatkeqe që dëgjon si rasti i Përmetit, i prokurorit të Përmetit kërcënimet që marrin. Prandaj edhe fuqizimi përmes Komisionit të Mbrojtjes së Prokurorëve dhe Gjyqtarëve, do të duhet të vijojë më tej, duke u dhënë më shumë mbështetje e mbrojtje të gjithë magjistratëve, të cilët ndihen të rrezikuar për shkak të detyrës nga faktorë të ndryshëm”, tha ministrja Gjonaj nga Shkodra, ku ndodhej në një takim me përfaqësuesen e UNDP-së në Shqipëri, Limya Eltayeb, ambasadorin austriak Christian Steiner dhe drejtuesen e Zyrës Qendrore të Agjencisë Austriake për Zhvillim, Simone Ungerzboeck.
Gjonaj theksoi rolin e gjyqtarëve në procesin e ndihmës ligjore falas. Ministrja theksoi se ky takim u shërben përpjekjeve dhe angazhimit në përparimin e arritjeve, përparësive dhe objektivave të vendosura për reformën në Drejtësi, por edhe për të bashkërenduar proceset e ndërsjella të punës.
“Kemi arritur që të bëjmë funksionale një arkitekturë të tërë institucionale, për t’u rikthyer besimin e qytetarëve në një sistem gjyqësor të bazuar në integritet, transparencë, profesionalizëm, efikasitet dhe mbi të gjitha, pavarësi”-tha ajo.
Ndryshimet e reja ligjore, theksoi ministrja, që ndërmorëm së bashku me të gjithë institucionet e drejtësisë por edhe me partnerët kanë si qëllim rritjen e eficencës, uljen e ngarkesës së gjyqtarëve duke përfshirë njësitë e këshilltarëve në gjykata, po ashtu edhe një ndarje të rasteve të korrupsionit të vogël në juridiksionin e prokurorive të zakonshme.
g.kosovari