Me 175 vota, nga 190 shtete që morën pjesë në votim, Shqipëria u zgjodh të premten anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo shënon herën e parë të përzgjedhjes në këtë funksion, pas 65 vitesh nga anëtarësimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina që kanë të drejtë vetoje si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.
Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet.
Për t’u zgjedhur, secilës prej tyre i duhej të siguronte dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Votimi ishte i fshehtë. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qënë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit./M.J