Shuplaka e këtij të riu ndaj Presidentit francez, Emmanuel Macron, që bëri xhiron e botës, vuri menjëherë në lëvizje policinë vendase për të zbuluar më shumë rreth së shkuarës së tij.
28-vjeçari i identifikuar si Damien Tarel, nuk është një emër i njohur për autoritetet franceze.
“Nuk njihet aspak si njeri i dhunshëm, është njeri shumë i qetë. Nëse dikush do më thoshte se Damien do të ishte i aftë të godiste Presidentin, unë do t’i thoja që jo,” tha një i afërm i agresorit për mediat.
Sipas hulumtimeve më të thelluara, i riu del se është një ndjekës i kanaleve të së djathtës ekstreme në Youtube e Facebook, edhe pse të afërmit e tij e konsiderojnë një person “apolitik”. Në kërkimet e bëra nga policia brenda shtëpisë së tij, u gjetën lojëra me luftëra mesjetare dhe arte marciale.
Në daljen e tij në gjykatë, 28-vjeçari akuzoi Presidentin Macron si përgjegjës për shkatërrimin e Francës.
“Mendoj se Macron është mishërim i degradimit të vendit tonë. Nëse do e ftoja në një duel Presidentin, dyshoj se do të pranonte një përballje,” tha i riu.
Më vonë, Presidenti Macron e cilësoi sulmin si një incident të papritur dhe u shpreh se dhuna dhe urrejtja janë kërcënim për demokracinë.
/a.r