Nga Fatmir Merkoçi*
Reforma në Drejtësi nuk është reformë e pushtetit gjyqësor dhe as e prokurorisë. Nuk duhet të kuptohet, madje as si një “prerje” kokash, të gjyqtarëve e prokurorëve. Reforma në Drejtësi është reformë shtetërore. Pasi në luftojmë të ndërtojmë shtetin e së drejtës. Pra duhet parë si një reformë tërësore dhe jo fragmentare. Ndaj që kur nisi të artikulohej kjo reformë, kërkova deklarimin e dështimit të sistemit.
Shqipëria është udhëhequr gjithmonë nga një Republikë Kuvendare. Institucioni më i lartë i shtetit është Kuvendi. Kjo lloj forme ka treguar se jo vetëm ka dështuar, por dhe ka pjellë sistem diktatorial. E megjithëse në parim udhëhiqemi nga një Kuvend, ku si rrjedhojë kemi delegim vote, çuditërisht falë dhe mentalitetit tonë, gjithmonë shteti është drejtuar nga njëshi.
Fillimisht është ndërtuar diktatura në parti. Pastaj ajo është shtrirë në institucione, duke bërë të mundur kapjen e shtetit nga një individ i vetëm. E thënë duket paradoksale, por çuditshëm në realitetin shqiptar është mëse e vërtetë.
Në këto 30 vjet “demokraci” ne, jemi drejtuar vetëm nga individi. Megjithëse për hir të së vërtetës, propaganda ka qenë dhe është se, kemi drejtim nga njerëz me vlera dhe profesionistë me kontribute të shumta. Rasti i reformës është tipike e kësaj çfarë thash më lartë. Grupi i përzgjedhur për reformë u quajt grupi i ekspertëve të nivelit të lartë.
Këta ekspertë të nivelit të lartë nuk shkarravitën edhe një germë në bërjen e ligjeve apo Kushtetuese. Ata thjeshtë firmosën çfarë ju ofrua në tavolinë, duke qenë dakord me atë që ofronin të huajt.
Prodhimi i ligjeve bëri të mundur të krijoheshin dhe institucione të reja (mos harrojmë se të gjitha janë kosto financiare). Këto institucione jo vetëm që nuk sollën eficensë, por përkundrazi. Ato sollën një avullin pasi, e kalojnë çështjen sa në një gjykatë apo prokurori tek tjetra.
Por më thelbësorja, duke qenë një reformë e pa studiuar, jo vetëm që solli pasoja institucionale, pasi pushoi së funksionuari, si Gjykata e Lartë, ashtu dhe Gjykata Kushtetuese, por u copëzuan dhe Gjykata e Apelit dhe ato të shkallës së Parë. Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, u kërkua si domosdoshmëri dhe u bënë ndryshimet Kushtetuese.
Në Kushtetutë u ndryshuan jo pak por plot 58 nene të saj. Pa llogaritur nenet e ndryshuara gjatë viteve.
Kjo lloj amullie, i pëlqeu politikës në tërësi, si dhe shumë individëve në veçanti. I erdhi dhe përshtat Kryeministrit, Presidentit dhe Kryetarit të Opozitës. Kjo sepse, të gjithë u vërsulën në emër të reformës, jo vetëm ti bënin presion njëri-tjetrit, por dhe të emëronin njerëzit e tyre në këto institucione të reja. Kuptohet që më i fituari doli Kryeministri Rama. Kjo për vetë faktin e thjeshtë: Ai kishte në dorë të emëronte individët e preferuar të tij në institucionit e reja. Pra drejtësia u rikap rishtas. Ajo nuk i shpëtoi kthetrave të pushtetit.
Në duke, ndryshimet e bëra, qoftë në ligje, kushtetutë apo institucione, trumpetohen si një arritje apo si një sukses që do çonte në hapjen e negociatave me Europën. Por ndodhi e kundërta, Reforma nuk prodhoi atë për të cilën u bë. Qeveria në mungesë të Gjykatës Kushtetuese arriti të miratoi ligje në interes të saj. Kjo falë dhe mungesës së opozitës.
Falë kësaj reforme e situate, u miratuan ligje të veçanta, ligji për Ngritjen e Korporatës, Ligji për PPP-të, Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, u bë përsëri ndryshimi në kushtetutë apo dhe ndryshime në Kodin Penal. Të gjitha me pretekstin e reformës në drejtësi.
Tashmë është e vërtetuar se, kjo reformë, dështoi në qëllimin e saj. Ajo thjesht i dha dorë të fortë partisë në pushtet. Tashmë rruga për t’u “hakmarrë” karshi kundërshtarëve politikë është e shtruar. Por e keqja nuk qëndron vetëm këtu. Tashmë ato ligje nuk mund të zhbëhen nga Kuvendi i ardhshëm. Pasi do kemi rishtas një kuvend partiak. Pra pushteti tashmë ka forcuar pozitat e veta juridike. Dukshëm pushteti i kaloi një partie apo individi. Kjo vërteton atë çka thash më sipër. Ne kemi dështuar në formën e shtetit, pasi Republika Kuvendare ka rënë së funksionuari. Ajo ka prodhuar dhe prodhon vetëm diktatorë në formë apo mënyrë të ndryshme.
Nëse do bënim vetëm Reformë në Gjyqësor e prokurori, atëherë do ishte mjaft e thjeshtë dhe pa kosto financiare. Veçse kjo reformë, jo vetëm solli kaos në sistem, por dhe goditi rëndë psikologjikisht shqiptarët, Të cilët, prisnin një drejtësi ndryshe dhe frytdhënëse. Kurse sot, dhe vetë Europa po kupton se: Në Shqipëri nuk goditet as krimi e as korrupsioni. E vetmja gjë që po ndërtohet është krijimi i Liderit stalinist. Ku Shqipëria, dhe pse u bë një vend i mbikëqyrur nga ndërkombëtarët, rishtas ajo mbetet si vendi ku pastrohet paraja, ku shtetarët e politikanët janë të lidhur jo vetëm me oligarkë të korruptuar, por dhe me MAFIA-n ndërkombëtare.
Reforma e Drejtësisë tashmë nuk dha pritshmërinë. Vendit i duhet një sistem tjetër. Por ky sistem, nuk zgjidhet as me deklarata publike e as me deklarimin se Presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Nëse duan vërtetë që të zgjidhet nga populli, gjëja e parë është jo ndryshimi i një neni kushtetues, por bërja e një Kushtetute të re. Ku të përcaktoi qartë formën e qeverisjes. Por gjithmonë i mbetem besnik asaj çka u kërkua vite me radhë. Kushtetuta të jetë shqiptare dhe të bëhet nga vetë shqiptarët. Një formë e re qeverisëse do jetë vërtetë një fillim i ri me një ndryshim sistemi, me rregulla e kushte të ndryshme nga ky që kemi. Atëherë mund të shpresojmë, dhe në një drejtësi ndryshe dhe shpresëdhënëse për shqiptarët. (Javanews)
*Avokat