Ish-Komandanti i forcave serbe, Ratko Mlladiç ka dalë i humbur nga apelimi i vendimit të Gjykatës së Kombeve të Bashkuara, që e dënoi me burgim të përjetshëm në vitin 2017.
Trupi gjykues la në fuqi vendimin e mëparshëm për rolin e tij në vrasjen e rreth 8 mijë myslimanëve të Bosnjes në Srebrenicë në vitin 1995.
Masakra ndodhi në një zonë që supozohej të ishte nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara dhe është konsideruar si krimi më i madh i ndodhur në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ende nuk është e qartë se ku do ta shlyejë dënimin Kasapi i Bosnjës, i cili më herët e kishte konsideruar gjykatën si një vegël të Fuqive Perëndimore. Mlladiç ishte një nga të fundit të arrestuar për Masakrën e Srebrenicës.
Në fund të luftës në Bosnje, në vitin 1995, Mlladiç u fsheh në Serbi dhe jetoi në arrati, i mbrojtur nga familja e tij dhe nga elemente të shërbimeve sekrete serbe.
Ai u gjet në shtëpinë e disa të afërmve të tij në veri të Serbisë në vitin 2011. Para Mlladiç, e njëjta gjykate kishte dënuar liderin e serbëve, Radovan Karaxhiçin, i cili konsiderohej si arkitekti i masakrës së Srebrenicës, mes masakrave të tjera që kishte kryer.
/a.r