Pas një viti të vështirë si ai i 2020, bizneset e huaja në vend janë të mendimit se kriza ekonomike nuk ka përfunduar, por pritshmëritë janë pozitive duke nisur nga 6 mujori i dytë i këtij viti e më tej.
Dhoma Gjermane e Tregtisë ka kryer një anketim në 48 kompani për periudhën Mars-Prill, ku 63% e tyre e vlerësojnë negativisht klimën e biznesit, krahasuar me një vit më parë, 9% mendojnë se situata nuk ka ndryshuar dhe 29% e vlerësojnë si të kënaqshme.
Në anketim bizneset kanë qenë përgjithësisht më skeptikë ndaj zhvillimeve në vend, por më optimist për aktivitetin e tyre. Nisur edhe nga periudha e vështirë e pandemisë, bizneset kanë një rënie të dëshirës për të riinvestuar apo për të zgjeruar me tej punësimin.
Një nga pyetjet në anketim është se kur do të rikthehet xhiroja e biznesit në nivelet e para pandemisë: 36% mendojnë në 2023 ose më vonë, 31% në 2022, 15 % mendojnë se xhiroja mund të rikthehet në 6 mujorin e dytë të këtij vitit. Ndërsa vetëm 10% thonë se xhiroja është rritur në këtë pjesë të parë të vitit.
Ndërsa sa i përket pritshmërive, ka një tendencë rritje nga një vit më parë të kompanive që thonë se klima do të përmirësohet, por 40% mendojnë negativisht, ndërsa për 38 për qind të tjerë, kjo do të jetë e pandryshuar.
Ambasadori gjerman në Tiranë, në publikimin e këtij anketimit, tha se sundimi i ligjit dhe transparenca do të jenë dy kushte vendimtarë për përmirësimin e klimës së biznesit ndaj qeveria do të duhet të fokusohet në këtë dy element.
/a.r