Nën drejtimin e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, u zhvillua të martën në Berlin konferenca e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, tha të martën (08.06) në Berlin se nuk beson se Konferencat e Para Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE do të hapen gjatë presidencës portugeze të BE-së. Ai i quajti përpjekjet që po bën aktualisht Portugalia si kryetare e radhës së BE-së për ta kaluar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në planin dypalësh një “fundament i mirë për të arritur çeljen e konferencës së parë ndërqeveritare me këto dy vende në kuadër të presidencës sllovene, në gjysmën e dytë të këtij viti.
Maas: Jam optimist edhe pse po zgjat më shumë se ç’duam
“Jemi në dialog të ngushtë me Slloveninë dhe Portugalinë, në kuadër të presidencës treshe të Këshillit të BE-së, por edhe me Komisionin e BE-së, në mënyrë që të krijojmë premisat që me çdo kusht të hapen konferencat e para ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë jam optimist se këtë do ta realizojmë, edhe pse është e vështirë dhe po zgjat më shumë se ç’duam”, tha shefi i diplomacisë gjermane, Heiko Maas duke iu përgjigjur kështu një pyetjeje të Deutsche Welle-s.
Ministri i Jashtëm gjerman tha gjithashtu se nëse vendet e Ballkanit Perëndimor i plotësojnë kushtet e kërkuara, atëherë nuk kemi përse të ngurrojmë me fillimin e negociatave. Maas kishte drejtuar të martën paradite seancën virtuale të konferencës së ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit, duke parapërgatitur kështu samitin e fundit të këtij formati, që do të zhvillohet në mënyrë virtuale, më 5 korrik nën drejtimin e kancelares gjermane, Angela Merkel. Veç ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në konferencë morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit, si edhe përfaqësues të nismave të dala nga ky proces.
Solidariteti i përjetuar
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme më parë kishte vlerësuar rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për Bashkimin Evropian dhe synimin që të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor një ditë të jenë anëtare të BE-së. Që kjo perspektivë është më shumë se fjalë, e tregoi edhe një herë solidariteti që tregoi Bashkimi Evropian për kapërcimin e vështirësive të krijuara nga pandemia në këto vende, tha Maas në Berlin.
Maas përmendi si shembull pakon e investimeve prej 12 miliardë eurosh për rindërtimin e ekonomive, që përgatiti Komisioni i BE-së, si edhe ndihmat me vaksina. Ai tha, se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë edhe përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për refoma në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, “në mënyrë që këto para që po vihen në dispozicion të jenë para të mirëinvestuara edhe nga këndvështrimi i Bashkimit Evropian”.
Vlerësim për Procesin e Berlinit
Maas përmendi gjithashtu edhe arritjet e Procesit të Berlinit, duke e cilësuar një “hap historik” marrëveshjen e planveprimit për krjimin e një tregu të përbashkët rajonal, që u arrit vitin e kaluar, në Samitin e Sofjes. Ai përmendi edhe heqjen e tarifave të roamingut të telefonisë, si diçka pozitive si edhe shkëmbimet e të rinjve në kuadër të Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit të Rinisë, RYCO, por ai vuri në dukje se ka ende hapa për të bërë për të realizuar marrëveshjet e tjera të arritura, si lëvizja e lirë dhe njohja e ndërsjellë e diplomave profesionale.
Procesi i Berlinit është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014. Synimi i tij ishte përmirësimi i bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi. Shumë nisma të marra në Procesin e Berlinit megjithatë nuk kanë arritur rezultatet e duhura, për shkak të çështjeve statusore ende të pazgjidhura mes shteteve në rajon.(DW)
/b.h