Argumentit të përsëritur nga kreu aktual i PD Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij se “kush është me Bashën, i shërben Ramës”, kandidati për kryetarin e ri të partisë, Agron Shehaj i ka dhënë përgjigje nga Tepelena.
Shehaj ka sjellë një bisedë mes 2 demokratëve, ku njëri prej tyre mbështetës i Bashës i ka dërguar një mesazh qytetarit që mbështet Shehajn, duke i thënë ” Kush nuk është me Bashën është me Ramën”. Përgjigja e tij është e se kush është me humbjet nuk i duhen fitoret dhe ata që mbështesin Bashën, mbështesin humbjen e radhës.
“Një intelektual i Tiranës, mbështetës i kryetarit të tanishëm, i dërgoi këtë mesazh një demokrati të thjeshtë, kritik me kryetarin: “Kush nuk është me Bashën është me Ramën.”
Demokrati iu përgjigj: “Po sikur të themi se kush është me Bashën është edhe me Ramën?” Po sikur të themi se kush është me humbjet nuk i duhen fitoret? Po sikur të themi që ata që mbështesin Bashën mbështesin humbjen e rradhës?”, është kjo biseda e publikuar nga Shehaj.
Sipas Shehajt kjo është një tezë komuniste se “ai që kritikon udhëheqësin është agjent i armikut dhe përçan partinë”.
“Ata që nuk humbasin asgjë kur Partia Demokratike humbet, duan të ruajnë gjendjen siç është. Prandaj ata po përdorin tezën komuniste se ai që kritikon udhëheqësin është agjent i armikut dhe përçan partinë. PD duhet të ndryshojë urgjentisht lidershipin. Me lidershipin e tanishëm PD as nuk bën dot opozitë të fortë, dhe as nuk fiton dot më kurrë”, shton kandidati për kryetar në postimin e tij.
/a.r