Mbrëmjen e sotme, për të folur rreth sfidës së maturantëve dhe provimeve pas pandemisë, në studion e emisonit “Java në RTSH” ishte e ftuar drejtoresha e QSHA Rezana Vrapi.
Në panelin me analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, Vrapi tha se një nga sektorët më të prekur nga pandemia është arsimi.
“Një nga sektorët më të prekur nga pandemia është arsimi, është një humbje shumë e madhe. Dje u bë provimi i pare i maturantëve, ai i gjuhës së huaj por nuk flasim dot pa dale rezultatet. Atëherë do të duket cilësia e tij. Në fund do të dalim në konkluzionin se si ka qenë ai provim. Korigjimi ka filluar sot në orën 8 të mëngjesit. Testi vjet ka qenë në nivelin B1, ndërsa këtë vit sipas analizave testi ka qenë i nivelit mesatar. Edhe për matematikën edhe gjuhën do të jetë provim shumë më i zbatueshëm. Këtu nuk është punë e një personi por e një ekipi,”- tha Vrapi.
Më tej ajo foli për qytetin me maturantët më të mirë ku u shpreh se nuk e ndante dot këtë pasi maturantë shumë të mirë ka kudo.
“Brezi i maturantëve të këtij viti kanë humbur shumë dhe unë i kuptoj. Qyteti me maturantët më të mire, kjo ka një sërë kriteresh, që nxjerrin në krye të listës më të mirët. Disa vite rresht ka qenë Shkodra. Nuk mund të themi që ky qytet ka maturantët më të mire sepse ka maturantë shumë të mire në shumë rrethe.”- u shpreh Rezana Vrapi në emisonin “Java në RTSH”.
/b.h