Holanda kërkon hetimin e krimeve zgjedhore në Shqipëri nga ana e SPAK si kusht për integrimin e saj në Bashkimin Europian. Qeveria holandeze në një shkresë drejtuar parlamentit kërkon që të mbështetet raporti i Komisionit Europian për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE.
“Qeveria hollandeze i mbështet përfundimet e Komisionit sipas të cilave Shqipëria ka bërë progres të mjaftueshëm në kushtet e paracaktuara. Ky konkluzion është pranuar edhe nga shtetet anëtare, që njësoj si Hollanda, ishin kritike vitin e kaluar”.
Në raport theksohet si shqetësim edhe çështja e patronazhistëve, duke kërkuar hetimin e publikimit të të dhënave personale para zgjedhjeve.
“Qeveria holandeze e konsideron të rëndësishme që rastet e manipulimit zgjedhor të hetohen me kujdes nga SPAK. Përveç kësaj, ekzistenca dhe rrjedhja e një baze të dhënash me informacione personale të ndjeshme, që shkaktuan shumë bujë pak para zgjedhjeve, duhet të hetohen gjithashtu.
Raporti përfundimtar i ODIHR nuk është publikuar ende. Qeveria e konsideron të rëndësishme që çdo rekomandim në këtë raport të ndiqet në kohën e duhur”, thuhet në raport.
Holanda nënvizon se raporti i ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, nuk është publikuar ende, kështu që ajo pret që të shqyrtojë dhe raportin e ndërkombëtarëve për të dalë në përfundime.
/b.h