Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, shpreson që periudha e verës të jetë stabile sa i takon gjendjes epidemiologjike me pandeminë e COVID-19. Por, ai tha se virusi i paparashikueshëm andaj edhe nevojitet kujdes, para se gjithash në respektimin e masave të miratuara me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive.
“Presim që periudhën e ardhshme, apo gjatë dy muajve të verës të kemi një pasqyrë epidemiologjike të qetë. Por, qytetarët duhet ta dinë se masat që janë miratuar duhet të respektohen. Askush në botë në asnjë vend nuk mund të del me parashikime të sakta se çfarë mund të ndodhë. Mund të ndodhë që të ketë ndonjë mutacion të virusit, i cili mund të jetë më ngjitës nga të gjithë llojet e tjera dhe kështu të ndryshojë gjendjen epidemiologjike. Ka ndodhur në disa vende të botës. Vaksinimi ndihmon të mos kemi forma të rënda të sëmundjes dhe raste të vdekjeve”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Maqedonia e Veriut të premten ka regjistruar shtatë viktima nga COVID-19 dhe 16 raste të reja të të infektuarve ndërsa 38 pacientë janë shëruar. Të dhënat bazohen në testimin e 3,109 mostrave. Numri i rasteve aktive ka zbritur në 1,027 persona.
Për herë të që nga paraqitja e pandemisë në klinika spitalore nuk është pranuar asnjë pacient i infektuar me koronavirus.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe bëri të ditur se Maqedonia e Veriut është në pritje të dozave të reja të vaksinave. Deri më tash janë vaksinuar rreth 244 mijë qytetarë ndërsa rreth 439 mijë të tjerë janë paraqitur për vaksinim.
“Presim të arrijnë 100 mijë vaksinat “Pfizer” nga mekanizmi COVAX, ende nuk kemi datë të saktë kur do arrijnë. Për vaksinat ruse nuk kemi paralajmërim se kur do i pranojmë, ndërsa të enjten nga ambasada kineze na njoftuan se në shtatë ditët e ardhshme do të arrijnë 500 mijë dozat e vaksinës Sinovac”, ka deklaruar Filipçe.
Kreu i shëndetësisë maqedonase gjithashtu njoftoi se është në kontakt me zyrtarët serbë për hapjen e një pikë të përbashkët vaksinimi në kufirin afër dy shteteve për rivaksinimin e qytetarëve të cilët dozën e parë e kanë marrë në Serbi./REL
b.h