Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, udhëton këtë fundjavë drejt New York-ut, ku do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku më 11 qershor do të votohet për zgjedhjen e Shqipërisë, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, për periudhën 2022–2023.
Përpara nisjes, ministrja Xhaçka ka zhvilluar një takim me ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.
Përmes një postimi në Twitter pas takimit, Ministrja Xhaçka bëri me dije se përgatitjet për KS po vazhdojnë me hapa të shpejtë, teksa e cilësoi këtë si një mundësi historike për diplomacinë shqiptare.
“Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 65 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë”, njoftoi MEPJ.
“Vendi ynë paraqitet në këto zgjedhje si kandidaturë konsensuale e grupit të vendeve të Evropës Lindore dhe e mbështet këtë kandidaturë në 6 prioritetet kryesore: Respektimi i të drejtave të gruas, si kontribut për paqe dhe siguri të qëndrueshme; Respektimi i të drejtave të njeriut dhe i ligjit ndërkombëtar; Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit; Ndryshimet e klimës dhe lidhjet e tyre me rreziqet ndaj sigurisë globale; Metodat e punës të Këshillit të Sigurimit”, theksoi MEPJ.
Edhe ambasada amerikane në Tiranë njoftoi lidhur me takimin mes Xhaçkës dhe ambasadores Kim.
“Gjithnjë kënaqësi takimi me ministren e Jashtme Olta Xhaçka. Kemi një mundësi të madhe përpara nesh për të forcuar bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në demokraci, mbrojtje dhe biznes. Ne e mirëpresim rolin në rritje të Shqipërisë në skenën rajonale dhe globale. Krah për krah”, u shpreh ambasadorja e SHBA, Yuri Kim për takimin.
/a.r