“Isha i dehur”, kështu ka deklaruara para trupës gjykuese, Sofokli Shani, i cili u arrestua për vrasjen e pronarit të një lokali në Lushnje dhe plagosjen e djalit.
Ai u paraqit në Gjykatë, i veshur me pantallona ushtarake, teksa hodhi një bluzë në koke për të fshehur fytyrën.
‘E pranoj që e kam bërë krimin. Kam qenë i dehur, dua gjykim të shkurtuar‘- është shprehur ai para Gjykatës.
Gjykata ka caktuar për 57-vjeçarin, masën e sigurisë “burg pa afat”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:47 natën midis të mërkurës dhe të enjtes, në fshatin Fier i Ri në Lushnjë, ku mbeti i vrarë shtetasi Rako Qorri, 62 vjeç, ndërsa u plagos djali i tij, Kejdi Qorri, 31 vjeç. Autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë është 57-vjeçari Sofokli Shani.
SHERRI
Sipas dëshmitarëve okularë nga vendi i ngjarjes, sherri midis autorit të dyshuar dhe viktimës ka nisur për një gotë raki. Konflikti ka degjeneruar më pas në konfrontim fizik ku autori i dyshuar, 57-vjeçari Sofokli Shani, po konsumonte alkool, duke i qëlluar me karrige, ndërsa babai me të birin e kanë rrahur fizikisht. Më pas, në gjaknxehtësi e sipër, ai ka shkuar në shtëpi për të marrë armën kallashnikov dhe është rikthyer në lokal. Këtë herë për të hyrë nga dera e pasme e tij, nga ku qëlloi për vdekje Rako Qorrin, e plagosi Kejdi Qorrin. Burimet thanë se 31- vjeçari është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, në gjendje të rëndë për jetën.
“Panorama” mëson se pas krimit Sofokli Shani i ka rrëfyer gjithçka ka ndodhur bashkëshortes së tij, duke e telefonuar dhe lajmëruar se ka vrarë një person, si dhe kishte plagosur një tjetër. Më pas, autori sipas burimeve ka shkuar në shtëpinë e tij dhe ka pritur Policinë.
g.kosovari