Ditën e sotme në media qarkulloi një video ku aludohej se kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli, është takuar me Erion Isufajn, kunatin e kryedemokratit Basha.
Por vetë Leli në një reagim në rrjetet sociale thotë se takimi i tij në oborrin e Akademisë së Arteve në Tiranë nuk ishte me kunatin e Bashës, por me pedagogun vlonjat Idlir Dervishi.
Sipas tij, ky është një skenar i qëndisur nga disa media, ndërsa shton se as nuk e ka parë dhe as nuk e ka takuar ndonjëherë Erion Isufajn.
“Për të gjithë ata që nxjerrin çfarë duan e nuk shohin çfarë nxjerrin, me gjithë skenarët e qëndisur, më duhet të them se në videon e publikuar nga media, ndërkohë që është duke u zhvilluar Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, jam duke biseduar me inxhinierin e pedagogun vlonjat Idlir Dervishi, në oborrin e Akademisë së Arteve, pranë Universitetit Politeknik, ku Idliri punon! Kunatin e Lulit, as nuk e kam parë, as nuk e kam takuar ndonjëherë në jetë”, shkruan Leli.
/b.h