Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka nisur procesin disiplinor ndaj gjyqtarit Luan Daci. Kjo pas kërkesës së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Mësohet se ditën e djeshme është hedhur shorti për caktimin e gjyqtarit hetuesit që do të jetë Ardian Hajdari.
Po ashtu janë përcaktuar edhe anëtarët e Komisionit Disiplinor që janë: Natasha Mulaj, kryesuese; dhe dy anëtaret Albana Shtylla dhe Ina Rama.
Më 8 Mars të këtij viti, Gjykata e Posaçme e Apelit e dënoi me 1 vit shërbim prove për “falsifikim dokumentesh”, gjyqtarin e KPA-së, Luan Daci.
Daci akuzohej nga SPAK se në kohën kur kandidonte për anëtar të KPA nuk ka deklaruar faktin që ishte shkarkuar në 1997 për paaftësi në punë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Njoftimi i KPA-së:
Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në regjistrin e Juridiksionit Disiplinor është regjistruar çështja (JD) nr.5/2021, datë 31.05.2021, me kërkues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe me objekt: “Procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci”.
Më datë 01.06.2021, u hodh shorti për caktimin e gjyqtarit hetues dhe më pas, për caktimin e Komisionit Disiplinor dhe kryesuesin e komisionit që do të shqyrtojë çështjen (JD) nr. 5/2021, datë 31.05.2021.
Pas hedhjes së shortit, gjyqtari hetues i kësaj çështjeje u caktua gjyqtar Ardian Hajdari, ndërsa Komisioni Disiplinor do të ketë përbërjen siç vijon:
Kryesuese: Natasha Mulaj
Anëtare: Albana Shtylla
Anëtare: Ina Rama