Leandro Përgjegaj: Unë jam i biri i Pal Përgjegaj, babi im u nis nga Italia për të ardhur në Shqipëri për të marrë letrat për të bërë pensionin. Ndalohet në aeroportin e Rinasit dhe policia shoqëron në Policinë e Rinasit dhe i thonë që ky ka një dënim në vitin 2020. E kanë lidhur me një bandë që prodhojnë lëndë narkotike marijuanë a kanabis në Kukës, dhe ma fusin në burg.
Te letrat që mori avokati doli që ky është i lidhur me anë të një numri telefoni. Numri i telefonit, ne kemi shkuar dhe hetuar atë që duhet të bënte Prokuroria, nuk i përket absolutisht babait tim. I përket një Pal Përgjegaj tjetër. Babai im nuk ka qenë asnjëherë në Kukës.
Është 61 vjeç, nuk ka hyrë ndonjëherë në jetën e vetë në Kukës, nuk ka futur këmbë përveç me këtë rast. Është shofer autobusësh për persona me invaliditet. Jemi gjithë familja komplet me nënshtetësi italiane më shumë se 10 vjet. Janë 11 ditë që nga sot që është shoqëruar në paraburgim, 11 ditë që unë babain tim nuk e shoh.
Në numrin e telefonit në fjalë, ku është bazuar Prokuroria dhe ka arrestuar Pal Përgjegajn, gazetarja e emisionit Stop, Domenika Bajraktari, telefonoi dhe u përgjigj një tjetër person i quajtur gjithashtu Pal Përgjegaj por me gjeneralitete të tjera të prindërve, i biri i Gjon dhe Dile Përgjegaj.
Hetimin e kësaj dosje e ka bërë prokurorja Rita Gjati, e cila është shkarkuar nga sistemi i drejtësisë pasi nuk ka kaluar Vettingun. Ndërsa tani çështja i ka kaluar prokurorit Edmond Karriqi. Gazetarja e Stop bisedoi me prokurorin Karriqi i cili tha se çështja tani është në dorë të gjykatës për të vlerësuar rastin e ngatërresës së personit.
Prokurori: Këto vlerësime të provave, i bën Gjykata tani. Unë e kam marrë çështjen në gjykim dhe akoma nuk jemi futur në shqyrtim gjyqësor. Ka një masë sigurimi të vendosur nga Gjykata një vit përpara. Ajo masë sigurimi ka qenë e paekzekutuar. Para kësaj mase, është vendosur një masë tjetër, po për një Pal Përgjegjaj tjetër, është revokuar, është pushuar.
Tani kemi të bëjmë me një Pal Përgjegjaj, që disa ditë përpara, u bë verifikimi i masës pikërisht, për atë emër, mbiemër për të cilën ishte marrë masa me vendim gjykate. Unë për këtë pjesë, nuk kam qenë prokurori i çështjes. Unë vij në gjykim, unë kam dosjen përpara dhe futem në gjykim dhe derisa çështja nuk ka filluar shqyrtimin gjyqësor, unë jam pjesëmarrës. Autoriteti ligjvënës dhe vendim- marrës është Gjykata.
Gazetarja: Në dosjen e kësaj çështje për këtë shtetas a ka qoftë dhe një kërkesë tek Operatori Telefonik, që ky numër lidhet me këtë shtetas, me këto gjeneralitete, që ka Pali, që sot është në burg?
Prokurori: Këto janë veprime, që janë kryer gjatë fazës së hetimeve paraprake dhe do t’i vlerësojë Gjykata. Kjo dosje me këto të dhëna, me këtë emër, mbiemër është pranuar të kalojë për gjykim, se për gjyqtarin e hetimeve paraprake, ka qenë e mjaftueshme akuza.
Gazetarja: Unë di sot të them, që zoti Pal Përgjegaj, me gjeneralitetet e vendosura në këtë vendim dhe me numrin e telefonit, kanë një përplasje, pasi nuk janë i njejti person.
Prokurori: Po pra, por këtë e vendos Gjykata.
Nesër, më 2 Qershor, është seanca e radhës gjyqësore ndaj 61-vjeçarit Pal Përgjegaj që është arrestuar padrejtësisht./Klan