Protestues të shumtë u mblodhën dje në Sheshin e Parlamentit në Rejkjavik (‘Austurvöllur’) për të kërkuar kthimin në Islandë të dy fëmijëve të vegjël shqiptarë të cilët u deportuan javën e kaluar në Shqipëri.
Familjeve të dy djemve të vegjël iu mohua kërkesa për azil në Islandë dhe u dëbuan në vendlindje, rast ky i cili ka ngjallur vëmendjen kombëtare. Njëri prej djemve, Kevi, që vuan nga fibroza cistike kërcënuese për jetë, ndërsa tjetri, Arjani vetëm një vjeç, ka një defekt në zemër.
Protesta nisi në orën 5 pasdite ditën e djeshme dhe tërhoqi mbi 400 pjesëmarrës. “Duhet të vazhdojmë të flasim për këtë dhe t’i bëjmë presion qeverisë për ta kthyer mbrapsht vendimin”, ka thënë organizatorja Una María Óðinsdóttir, transmeton Koha.net. “Dëshirojmë t’i kthejmë në Islandë ata djem menjëherë”.
Të dy familjet kanë aplikuar për shtetësi në Islandë ndërsa rasti i tyre është duke u shqyrtuar nga komiteti relevant parlamentar. Mjekët islandezë kanë thënë edhe zyrtarisht se dy djemtë shqiptarë nuk do të kenë trajtim të duhur mjekësor në Shqipëri.