Përballë gazetares Nisida Tufa Leskaj tha se në këtë mandat peshon më shumë përgjegjësia, pasi duhet të plotësohen pritshmëritë e atyre që kanë votuar pro të majtës, por edhe të gjithë shqiptarëve.
Mes të tjerash Leskaj tha se vlerëson shumë shtrirjen e dorës për bashkëpunim nga ana e kryeministrit Edi Rama drejt PD-së.
PJESË NGA INTERVISTA
Jemi në kushtet kur PS ka marrë mandatin e tretë qeverisë. Kemi një opozitë që nuk i njeh zgjedhjet, por do të hyjë në parlament. Çfarë do të thotë një mandat i tretë për PS?
Një mandat i tretë është një lloj krenarie për socialistët, një arritje. Por jo vetëm për ta, pasi të dhënat tregojnë se nuk kanë votuar një pjesë e socialistëve, por një pjesë e mirë e shqiptarëve. Në mandatin e tretë peshon më shumë përgjegjësia. Përgjegjësia për të justifikuar mbështetjen, besimin që të kanë dhënë njerëzit dhe për të plotësuar pritshmëritë se ata që të kanë votuar kanë ndaj teje. Përgjegjësia nuk është vetëm ndaj atyre që të kanë votuar, por ndaj të gjithë shqiptarëve. PS, duhet të mendojë për një ndryshim të madh. Në kushtet që jemi, mendoj se PS-ja duhet të bëjë një ndryshim të madh. Ato ndryshime pozitive ende që nuk i kemi dhe që Shqipëria ka nevojë. Jam e sigurt se PS ka potencialin për të realizuar këtë ndrysim. Mesazhet që kam parë, qofshin ato paszgjedhore. Edhe në fjalën që mbajti kreu i PS dhe kryeministri i vendit pas zgjedhjeve, janë mesazhe që japin shpresë. PS e ka të qartë se përveç fitores është një sfidë jo e lehtë, pasi ka shtruar nevojën për ndryshim edhe të vetvetes, për rritje të përgjegjësisë dhe të mënyrës së të punuarit. Ajo që vlerësoj është shtrirja e dorës për bashkëpunim.
Unë përveçse është një shenjë emancipuese, është mesazh emancipues, pasi gjëja që na ka munguar është bashkëpunimi. Nëse katandisemi që të flasim për zgjedhjet dhe mungesën e dialogut, do të thotë që jemi në kushtet e diskutimit të një demokracie minimale. Jemi një vend që është në pritshmëri për çeljen e konferencës ndërqeveritare për negociatat. Jemi vend aspirant për BE. Duhet të diskutojmë kërkesat që kanë lidhje me BE, përfshirë çështjen e bashkëpunimit dhe dialogut. Një parlament nuk mund të jetë i demokracisë funksionale, nëse nuk ka bashkëpunim. Ne shpesh na ka penguar dialogu politik. Nuk është hera e parë që shtrohet kjo çështje. PS e ka bërë këtë hap atëherë, ka qenë në opozitë. Unë kam kërkuar në emër të PS, në parlament që të bënim një pakt për 5 reforma madhore të vendit, duke nisur nga reforma në drejtësi dhe mediat. Kjo është shenjë emancipuese dhe nevojë jetike për vendin, për shqiptarët dhe integrimit. Nëse si bëjmë këto reforma për shqiptarët, ç’kuptim ka vetëm për integrimin. Njerëzit janë lodhur nga gjuha e urrejtjes dhe sherreve politike nga ky diskurs politik që vërtitet rreth emrave dhe partive politike.
Ju thatë se PS duhet të marrë këtë mandat si përgjegjësi. Po vetë zoti Rama çfarë duhet të ndryshojë si kryeministër?
Zoti Rama ka qenë i qartë edhe në mitingun e fundit, ku ka thënë se duhet të ndryshojmë vetveten. E ka dhënë mesazhin. Ndoshta unë se kam dëgjuar shumë dhe nuk është e zakonshme sot tek liderët e Ballkanit.
Në datën 12 PS ka Kongresin, që e kanë quajtur të jashtëzakonshëm. Do të jeni e pranishme?
Do jem besoj. Kur ti ke dalë nga politika, se shoh si të jashtëzakonshme të jesh apo jo në Kongres. PS fton edhe nga shoqëria civile, biznesi, etj.
Do doja një mendim tuaj për Komisionin Hetimor për shkarkimin e presidentit Meta. Si e keni parë këtë ecuri?
Kam një mendim që e kam pjesë të formimit dhe edukatës time gjatë viteve që kam qenë në politikë. Për çështje që janë në institucione, që i ngarkon ligji të merren shqyrtimin apo gjykimin për to, nuk komentoj. Nuk mund të komentoj mbi vendimin për Parlamentin, s’më lejohet për eksperiencën që kam.
Në opinionet që kam marrë për librin tuaj, thonë se përveçse është një libër me rrahje mendimesh ka dhe një elegancë në të shkruar. Çfarë ju bëri që të kishit kaq stil në të shkruar?
E kam thënë edhe herë të tjera është se gjëja që më mungonte në politikë, ishte leximi. Isha racionale, çfarë kisha për periudhën e dimrit dhe të verës që të përmbush atë boshllëk. Unë përpara ndryshimeve demokratike kam punuar në shtyp, çka do të thotë se isha praktikuar. Kam bërë edhe gjëra të vogla. Unë aty nuk quaj politikë atë që quhet zakonisht në përditshmërinë tonë. Këtu kur flitet për politikë, shkon përtej gardhit. Kam bërë një analizë të detajuar nga eksperiencat në vend dhe botërore. BW